Politike

PD kërkon sot shkarkimin e gjyqtarit që emëroi vetë dje

Procesi i Vettingut nxorri në dritë një dënim të vitit 1999 nga drejtësia italiane për gjyqtarin Admir Thanza. Ai ishte ndëshkuar me gjobë dhe 40 ditë burg me akuzën e vjedhjes dhe në atë kohë ishte gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.

Si subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, gjyqtari Thanza duhej ta kishte vetëdeklaruar këtë dënim të marrë nga autoritetet italiane, por nuk e ka bërë këtë dhe ndaj tij sot Prokuroria ka nisur hetimet.

Menjëherë pas gjetjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në valle u përfshi edhe politika. Partia Demokratike i bënte thirrje përmes një deklarate Presidentit Ilir Meta që të shkarkojë menjëherë gjyqtarin Admir Thanza.

“Pavarësisht nga rrethanat e pretenduara prej tij mbi kryerjen apo jo të krimit, Partia Demorkatike kërkon respektimin e vendimit të drejtësisë italiane dhe shkarkimin e tij të menjëhershëm nga detyra. Për këtë qëllim, apelojmë Presidentin e Republikës, si organ kushtetues përgjegjës për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, që të urdhërojë shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarit Admir Thanza, në kuadër të detyrimeve që burojnë nga ligji i dekriminalizimit”, thuhet në deklaratën e PD.

Por, emri i gjyqtarit Thanza, që mes çështjeve që ka gjykuar në karrierën e tij është edhe ajo e Gërdecit në Gjykatën e Lartë ka një lidhje të tërthortë me PD-në e djeshme, që e promovoi në majat më të larta të sistemit të drejtësisë.

Në fund të prillit të vitit 2013, pak para zgjedhjeve parlamentare, Presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani dekreton emërimin si anëtarë të Gjykatës së Lartë të Admir Thanzës dhe Tom Ndrecës, ky i fundit relator në trupën e gjyqtareve të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi kërkesën ankimore të PS për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Tiranës në 2011 dhe numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, që më pas shpallën fitues Lulzim Bashën në garë me Edi Ramën.

Që të zyrtarizoheshin emërimet duhej të kalonin në Kuvend, ku të siguronin shumicën e thjeshtë të votave. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ishte më në krah të PD-së dhe me PS kishte nënshkruar koalicionin e 1 prillit.

Në këto kushte, PD në Kuvend nuk i kishte 71 votat dhe nëse PS e LSI bojkotonin seancën s’mund të realizohej votim. Ky ishte skenari i parë. Në skenarin e dytë, nëse PS e LSI merrnin pjesë por e rrëzonin këtë kandidaturë të Nishanit, atëherë PD ishte e pafuqishme në numra për ta parandaluar këtë.

Seancë plenare i parapriu një mbledhje e Byrosë së Kuvendit. Kryetarja e asaj kohe, Jozefina Topalli dhe deputetët e PD përjashtuan për disa ditë 4 deputetë socialistë, për një debat të mëhershëm përplasjeje me Kastriot Islamin e Asllan Dogjanin.

Opozita e asaj kohe akuzoi se përjashtimet ishin të parregullta dhe aludonin për një plan të mirëfilltë që në Kuvend të kalonin emrat e propozuar nga Nishani për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pra, me katër deputetë të përjashtuar nga opozita, Partia Demokratike mund të miratonte dekretet e Nishanit në Kuvend edhe me 69 votat e saj.

Por, ekzistonte ende mundësia që ndonjë prej deputetëve demokratë të mos i votonte dekretet në votimin e hapur. Për të shmangur edhe këtë dhe për të patur një numër më të qëndrueshëm shumice, PD mori mbështetjen e deputetëve socialistë, Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami.

Votimi u realizua dhe Admir Thanza mori mbi 70 vota, duke u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Habia në gjithë këtë mes është se vështirë që autoritetet shqiptare të mos kenë qenë në dijeni të dënimit të tij për vjedhje në Itali, por me shumë mundësi kanë mbyllur njërin sy edhe kur e emëruan në Gjykatën Kushtetuese, edhe në atë të Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë