Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në një deklaratë për mediet nga shkolla “Besnik Sykja” , tha se “katër muaj pas afatit të përfundimit të punimeve, shkolla mbetet ende e pa rikonstruktuar”.
Sipas saj, bashkia e Tiranës është përgjegjëse, pasi ka lënë në harresë gjimnazistët.
“Kjo është një nga shkollat e shumta, të cilat Parti Demokratike i ka denoncuar me fakte dhe prova këto ditë se si nuk po zhvillohet mësimi normalisht dhe se si nuk janë plotësuar standardet, afatet, detyrimet kontraktore që ka Ministria e Arsimit, Bashkia Tiranë, por i gjithë shteti shqiptar në lidhje me shkollimin dhe arsimimin e fëmijëve, nxënësve, gjimnazistëve të kryeqytetit”, u shpreh Zhupa.
“Nga vetë tabela, nga ajo që thotë vetë bashkia Tiranë, por edhe kontraktori, kjo kontratë e punimeve duhet të kishte përfunduar në datën 04.05.2022. Ne ndodhemi në shtator të vitit 2022 dhe është shumë larg i të quajturit i përfunduar. Përkundrazi oborri i kësaj shkolle është plotë me inerte dhe e largët duket data në të cilën do të mund të kthehen gjimnazistët për të kryer shkollën e tyre në godinën e Besnik Sykjes”, u shpreh deputetja e PD-së.
Zhupa vuri në dukje se, me këtë mënyrë Ministria e Arsimi, bashkia e Tiranës ka shkaktuar një kauzë në sistemin arsimor duke bërë që shumë shkolla të Tiranës vetëm nga indiferenca dhe papërgjegjshmëria e tyre të kryejnë mësimin me 2 apo me 3 turne.
“Ky është sistemi arsimor që kemi sot, fjalët e propagandës që flasin për digjitalizim, për ndërkombëtarizim, për shkolla me teknologji të fundit janë jashtëzakonisht shumë larg realitetit të këtyre shkollave të shembura dhe të mësimit me turne që zhvillohet në shkollat e kryeqytetit”, deklaroi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.