Opozita do t’i rikthehet protestës pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky është vendimi i marrë pas dy mbledhjeve radhazi që kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi me kryetarët e bashkive të djathta që janë në prag të mbarimit të mandatit.
Pas mbledhjes më kryebashkiakët e djathtë është vendosur që të hënën të ketë një protestë përpara Kryeministrisë në ora 20:00.
“Dua të falendëroj nga zemra edhe njëherë mbi 85 përqind të shqiptarëve që refuzuan diktaturën, farsën e Edi Ramës me 30 qershor. Dua ti ftoj të gjithë këta qytetarë dinjitozë të Shqipërisë europiane, nëna e baballarë, të rinj e të reja, prindër e bijë nënash shqiptarë, të na bashkohen ditën e hënë në orën 20.00 në një protestë të madhe kombëtare për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën, për lirinë, fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë Europiane. Të gjithë bashkë ditën e hënë në orën 20.00 në Tiranë”, deklaroi Basha.
Ndërkaq mësohet se në takimin me kryebashkiakët është biseduar për një strategji që do të ndiqet nga bashkiakët e djathtë në momentin kur do të realizohet procesi i largimit të tyre dhe marrjes së detyrës nga kryebashkiakët e majtë që kanë fituar zgjedhjet më 30 qershorit.
Opozita bojkotoi zgjedhjet e 30 qershorit, madje kryebashkiakët e djathtë theksuan se do të zbatojnë dekretin e presidentit Meta, i cili anuloi zgjedhjet, duke nxjerrë një datë të re 13 qershorit.
Është parashikuar që të djathtët të mos i lirojnë zyrat e bashkive të majtëve që fituan zgjedhjet, por një gjë e tillë do të vendoset përfundimisht në ditët e ardhshme. Në fund të muajit korrik, i mbaron mandati kryebashkiakëve aktualë.
“Nuk ka lidhje Lulzim Basha. Ne interpretojmë ligjin dhe kemi lexuar votat popullore. Ky është mendimi i shumicës së shqiptarëve, 85%.”, tha kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, duke shtuar se janë kundë farsës elektorale.
Kreyebashkiaku Agron Kapllanaj i Mallakastër hodhi poshtë që vendimi i tyre ka lidhje me takimin e zhvilluar në selinë blu me kryedemokratin Basha.
“Nuk ishte tema e takimit me Bashën të lirojmë zyrat apo jo. Hap pas hapi po bëjmë denoncimet tona dhe provat që kemi grumbulluar nga votimet farsë. Ne do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit dhe i konfirmuar nga të gjitha institucionet. Pra kur të ketë zgjedhje dhe jo votime. Këto janë votime që nuk njihen, nul dhe votime pa një dekret të Presidentit. Ky është vendim i bërë i ditur nga gjithë opozita. Këto janë zgjedhje farsë, nul, nuk do të njihen. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në detyrën tonë përsa kohë të bëhen një palë zgjedhje të rregullta dhe aty nëse do të vijë dhe të fitojë përballë çdo kandidati të PD një kandidat tjetër i cili do të marrë shumicën dërmuese të votave ne do ta mirëpresiom dhe do ti dorëzojmë shiritin sipas rregullave dhe sipas ligjit. Nuk mbajmë me dhunë asnjë zyrë por do tu shërbejmë qytetarëve sakohë nuk ka pasur zgjedhje në asnjë zonë.Për ankimimin janë duke u marrë personat që janë caktuar”, tha Kapllanaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




