Politike

PD: Rreth 200 ton mbetje kimikatesh ngjitur një shkolle në Balëz të Elbasanit    

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Fjoralba Dizdari, pretendoi përmes një dalje për mediat se,  rreth 200 ton mbetje kimikatesh, cianur dhe arsenik, ndodhen krah një muri shkolle në fshatin Balëz në Elbasan

“Rreth 200 Ton mbetje kimikatesh, ndër të cilat cianur dhe arsenik, ndodhen krah një muri shkolle në fshatin Balëz në Elbasan.

Siç e tregon kjo foto, ku qartazi duket shkolla e Balzës me qindra nxënës dhe muri ndarës i magazinës që mbledh mbetje të rrezikshme.

Bashkë me mësimet, fëmijët e Balzës marrin çdo ditë falas nga qeveria, edhe një dozë helmi. Kjo ndodh prej vitesh dhe fakti që nuk ka asnjë masë për t’i zhvendosur kimikatet dëshmon pandjeshmërinë e Rilindjes ndaj jetës së fëmijëve dhe banorëve të Balzës, Elbasanit dhe gjithë vendit. Me siguri në Bashkinë e Llatjes dhe qeverinë e Ramës këtë e mendojnë si pjesë të projektit ‘Shqipëria 2030’. 

Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve” pas oborrit të shkollës, në qendër të fshatit Balëz, ndodhet rreth 2,5 km larg prej dy institucioneve të rëndësishme të Elbasanit, spitalit dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Fshati Balëz ka mbi 1000 banorë dhe shqetësimi më i madh i tyre është se këto magazina janë ngjitur me shkollën, çerdhen dhe qendrën shëndetësore.

Fëmijët, por edhe të rriturit, kanë shfaqur probleme shëndetësore si alergji, probleme me frymëmarrjen, probleme psikologjike, por nuk mungojnë dhe sëmundjet fatale.

Të gjitha këto dëshmojnë se, pavarësisht kushteve të pretenduara të ruajtjes, këto lëndë avullojnë dhe shpërndahen në ajër, apo precipitojnë në tokë ku ndotin tokën dhe ujërat nën të”, tha ajo.

Dizdari tha se,  Partia Demokratike i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa për zgjidhjen e kësaj situate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë