Politike

PD rikthehet në shesh/ Berisha: Rama do ketë të njëjtin fat si Maduro!

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike iu rikthye protestës para godinës së Kryeministrisë.

Kjo ishte foltorja e shtatë në radhë e demokratëve kundër qeverisë, ndërsa Berisha nuk ka përjashtuar forma të tjera të aksionit politik, përfshirë nisma paralele apo akte ekstreme të ngujimit. 

Duke folur, Berisha theksoi se sipas tij kryeministri Edi Rama do të ketë të njëjtin ‘fat’ si Nicolas Maduro në Venezuelë.

Sipas tij operacioni që ndërmorri SHBA në Venezuelë, kundër regjimit të Maduros, shkaktoi tmerr e terror në Surrel.

“Trump gjer sot ka përsëritur se këtij Maduroje do t’i vijnë të tjerë pas. Dhe iu ka dërguar mesazhe. E vërteta është se ky akt solli ngricë të madhe, tmerr dhe terror në Surrel. Edi Rama ngriu. E kyçi dje podcastin e tij Mashtrojmë. Publikoi një artikull me emrin e dy mashtruesve ordiner të tij, Endri Kajsiu, në të cilin thoshte mos kujtoni se jam Maduro se Shqipëria nuk ka naftë si Venezuela.

Ky është Ramaduro, se njëlloj si Maduro, ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale. Mandatet e tij qëndrojnë mbi krimin, ka marrë mandatet e opozitës”, tha Berisha.

“Për një betejë politike deri në largimin e qeverisë”, theksoi Berisha, pasi sipas tij “vendi ynë duhet të shpëtohet”.

Në këtë protestë nuk kanë munguar edhe mesazhet nga qytetarët, të cilët janë shfaqur edhe me pankarta me mesazhe pikante.

Ndërkohë, në protestë foli edhe deputeti  Luçiano Boçi i cili theksoi para Kryeministrisë, se sipas tij kryeministri Edi Rama ka krijuar një “parajsë” për veten, por një “ferr” për qytetarët me qeverisjen e tij.

Boçi tha se sipas tij qeveria i ka ngulur “thikën e mjerimit” popullit, duke theksuar se edhe një pjesë e madhe janë në rrezik varfërie.

Ai hodhi edhe akuza ndaj zëvendëskryeministres, teksa shtoi se kryeministri Rama po e mbron sepse është i frikësuar për vetë fatin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë