Partia Demokratike refuzon dërgimin e një vëzhguesi pranë komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur shkresës së Kuvendit të Shqipërisë për caktimin e një vëzhguesi për të realizuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor, pasi e konsideron këtë strukturë të posaçme, njësoj si Parlamentin “pa legjitimitet dhe produkt të zgjedhjeve të diktuara gjerësisht nga krimi i organizuar dhe blerja e votave me paratë e pista të krimit”.
“Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”, shprehet Bardhi në shkresën dërguar sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
Duke ritheksuar nevojën për Reformë të vërtetë Zgjedhore, PD shpreh bindjen se ajo duhet të realizohet e të zbatohet vetëm nga institucione apo parti që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Personat, subjekt i hetimeve penale nr. 184/2016 apo nr. 339/1/2017 të Prokurorisë për Krimet e Rënda, janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe me Reformën e vërtetë Zgjedhore, për të cilën ka nevojë vendi.”- thuhet në përgjigjen e PD.
Kështu për PD-në nuk duhet të jetë pjesë e këtij komisioni bashkëkryetari socialist Damin Gjiknuri për të cilin opozita pretendon se sipas përgjimeve të Prokurorisë rezulton se ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Dibrës. Gjithashtu demokratët shprehen se edhe anëtarët e zgjedhur nga opozita e re nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike.
Tre ditë më parë, Kuvendi me anë të një shkrese zyrtare drejtuar Partisë Demokratike kërkonte që të jepnin emrin e vëzhgues së kësaj partie, sipas vendimit të miratuar nga ana e Kuvendit.
Kuvendi miratoi në seancë zgjatjen e afatit të komisionit të posaçëm të reformës, duke përfshirë si anëtarë të rinj deputetët e opozitës së re dhe caktuar si bashkëkryetarë Damian Gjiknuri nga PS dhe demokraten Rudina Hajdari.
Në këtë vendim parashikohet që deri më 28 nëntor, komisioni të realizojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku përfshihet edhe ndryshimi i sistemit. Kanë qenë pikërisht deputetët e opozitës së re, të cilët kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre në këtë komision të posaçëm, ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.