Politike

PD refuzon Begajn. Bardhi: S’bëhemi pjesë e një procesi konsultimesh farsë kur Rama-Balla e kanë paracaktuar datën e zgjedhjeve

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në diskutimet për datën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm që po zhvillon presidenti Bajram Begaj.

Këtë e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili tha se refuzon të përfshihet në një proces që ai e konsideron farsë dhe që sipas tij synon vetëm t’i jepet legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.

 “Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrsesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.

 Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria”, shkroi Bardhi.

Ai tha se sipas tij, Begaj po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste.

“Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij.  Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe”, tha Rama.

PD supozohej se do merrte pjesë në diskutimet me Begajn të hënën, në të njëjtën ditë me PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë