Nga Gazeta ‘Si’- Ka dështuar edhe sot mbledhja e Këshillit të Mandateve me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në sallën ku zhvillohet mbledhja të parët kanë mbërritur deputetja Elda Hoti dhe Saimir Korreshi, por derën e kanë gjetur të kyçur.
Demokratët akuzojnë kryeministrin Edi Rama për pengimin e procesit, duke mbajtur të bllokuara zyrat e Kuvendit dhe duke mos lejuar thirrjen e Këshillit, e cila sipas rregullores mund të bëhet edhe nga pesë anëtarë.
“Kuvendi, me urdhër politik të Edi Ramës, vazhdon të mbajë peng mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndryshe nga sa përcakton rregullorja, sipas së cilës mbledhja e Këshillit mund të thirret nga 5 anëtarë, Niko Peleshi vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit, duke mbrojtur të korruptuarën Belinda Balluku.
Kërkojmë me urgjencë thirrje e mbledhjes. Mjaftojmë ne sot që mbledhja të jetë e vlefshme, nuk është nevoja për prezencë 50+1″, tha Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat.
E vetmja mbledhje e zhvilluar është ajo e datës 19 dhjetor, ku anëtarë të PD e PS dhe me prezencën e prokurorëve të posaçëm dhe avokatin mbrojtës të Ballukut, morën provat dhe kohën e nevojshme për t’u njohur me rreth 16 mijë faqe të grumbulluara në USB.
Dy janë arsyet që 5 anëtarët e Partisë Socialiste nuk pranojnë zhvillimin e mbledhjes; avokatët e Ballukut kanë kërkuar 3 javë kohë për t’u njohur me provat dhe për të përgatitur mbrojtjen dhe më e rëndësishmja, Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur për çështjen e pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku nga detyrat shtetërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




