Politike

PD: Rama po bën manovra politike për të mbrojtur Ballukun

Nga Gazeta ‘Si’- Përveçse sulm ndaj drejtësisë, opozita e sheh qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut edhe si dëmtim të procesit të integrimit.

“Ky qëndrim do të provokojë zhbërjën e plotë të procesit të integrimit me Shqipërinë. Asnjë votë nuk do të ketë”, tha Berisha.

Me urgjencë reagoi edhe kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, i cili thotë se Rama kërkon të ndryshojë Kodin e Procedurës Penale sepse sipas tij drejtësia po prek pushtetin e tij.

Deklaratat e kryeministrit se tashmë nuk ka nxitim për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë, i quajti manovër politike.

“Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten. Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin. Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari e Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”, tha Bardhi.

Debatet përfshinë edhe komisionet parlamentare, ku deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi dorëzimin e imunitetit të Ballukut, deklaratë që hasi kundërshtinë e socialistëve.

“Vetë e keni lënë me 8 anëtarë se s’erdhi nga qielli. Imuniteti të ishte dorëzuar si ta pezullonte apo jo Kushtetuesja. Kjo është rruga, të mos pengosh drejtësinë”, tha Ina Zhupa.

“E keni kthyer komisionin si foltore. Reforma është bërë falë PS-së, dhe është lideri juaj që shkon çdo ditë të hëne para SPAK e nuk lë gjë pa thënë dhe sot na dilni sikur mbroni drejtësinë. PS ka pritur vendimin e Kushtetueses, do të mblidhet edhe Këshilli i Mandateve, ka një afat prej tre muajsh”, i replikoi Arkend Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë