Politike

PD: Qeveria, plan imagjinar për hapjen e shkollave

Partia Demokratike thotë se Qeveria nuk ka asnjë plan për rifillimin e mësimit nëpër shkolla dhe krizës së shkaktuar nga Covid-19, sipas opozitës, i shtohet edhe fakti se 106 shkolla të shembura pas tërmetit nuk janë përmbyllur ende.

“Njësoj si për pandeminë, edhe plani për shkollat është imagjinar. Ministrja nuk na tha sesi do të bëhet mësimi online, do të bëhet në klasë apo i alternuar. Nuk na tha masat për secilën alternativë. Me pak fjalë, ajo që mësuam se gjithçka do të improvizohet në minutën e fundit”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së, Ndriçim Mehmeti.

Mehmeti tha se Qeveria ka ftuar mësimit që të rikthehen nëpër shkolla për të përgatitur mjediset, pas asgjë më shumë.

“Ministria e Arsimit nuk ka nxjerrë asnjë udhëzim, përveç datës së fillimit të vitit të ri shkollor, për mënyrën sesi do të fillojë mësimi, online, në klasë në kushte e distancimit fizik, i alternuar?! Gjithë kësaj paqartësie i shtohet fakti se sipas deklarimit të qeverisë, kemi 106 shkolla të rrënuara plotësisht dhe ende asnjë shkollë të përfunduar. Gjendja është edhe më shqetësuese po të kemi në konsideratë faktin, se shkollat e rrënuara ndodhen në qendrat më të mëdha urbane, aty ku edhe numri i nxënësve është më i madh”, vijoi Mehmeti.

Theksin tek mungesa e detajeve nga plani për rihapjen e shkollave e vuri edhe ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi.

“Duket qartë që qeveria nuk ka një plan masash të detajuar për fillimin e vitit të ri shkollor, nuk ka buxhet dhe nuk ka as vullnet dhe as dëshirë të zhvillojë arsimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë. Deklarata e qeverisë për rihapjen e shkollave në shtator u bë në nxitim e sipër, nën presionin e vazhdueshëm të PD. Dalja e dy ministreve krijoi më shumë paqartësi sesa dha sqarime, sepse qeveria nuk ka asnjë plan. Një qeveri me plan, e cila nuk vepron në panik dhe nuk improvizon, do të kishte publikuar sot udhëzuesin e detajuar për rihapjen e shkollave në kushtet e pandemisë”, tha Vokshi.

Ish-deputetja demokrate tha se udhëzimi duhet të përmbante përgjigjet për një sërë pyetjesh?

“Sa të gjata do të jenë orët e mësimit? Me sa turne do të zhvillohet mësimi në Tiranë, ku shumica e shkollave janë me dy turne? Sa nxënës do të jetë një klasë? Ku do të mësojnë nxënësit e shkollave të shkatërruara pas tërmetit? Me shtimin e numrit të klasave, sa është numri i mësuesve dhe ndihmës/mësuesve që do të punësohen? Cili është protokolli i sigurisë që do ndiqet në cdo shkollë dhe masat mbrojtëse që do sigurohen nga qeveria? Mbi të gjitha, sa është buxheti shtesë për të përballuar pandeminë në shkolla?”, pyeti Albana Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë