Partia Demokratike vijon me sulmet ndaj kryebashkiakut të Vorës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Agim Kajmaku. Nëpërmjet ish-deputetes Albana Vokshi PD ka publikuar të dhëna të tjera lidhur me tenderat që ka përfituar Kajmaku në emrin e kompanisë së vet.
Sipas saj, Edi Rama hesht dhe mbron kriminelin Jorgo Toto të Bashkisë së Vorës, sepse bashkë ndajnë miliona euro, që i vjedhin nga taksat e shqiptarëve.
“Partia Demokratike po sjell sot të tjera dokumente, që i japin përgjigje pyetjes legjitime të çdo shqiptari: Pse Edi Rama ka vendosur të mbrojë një kriminel tjetër në bashki?
Përgjigjja është e thjeshtë. Ne e zbuluam atë sipas parimit “ndiq paratë”. Edi Rama dhe Jorgo Toto i Bashkisë së Vorës ndajnë bashkë miliona euro. Paratë janë mburoja e Jorgo Kajmakut nga drejtësia greke dhe drejtësia shqiptare”, shprehet Vokshi.
Ish-deputetja shprehet më tej se Agim Kajmaku, me kompaninë e fidanëve “Kajmaku shpk” ka marrë nga pushteti i Edi Ramës rreth 2.6 milionë euro para publike, pothuajse pa garë.
“Krimineli në kërkim në Greqi, me kompaninë e fidanëve “Kajmaku shpk” ka marrë nga pushteti i Edi Ramës rreth 2.6 milionë euro para publike, të marrë me tendera duke qenë, në pjesën më të madhe të tyre, i vetëm në garë.
Agim Kajmaku i Vorës, i arrestuar dhe akoma në kërkim në Greqi është klient pothuajse ekskluziv i Bashkisë së Tiranës dhe i Bashkisë së Durrësit. Erion Veliaj i ka dhënë Jorgo Totos që bënte biznes me para të falsifikuara rreth 440 mijë euro, ndërsa Vangjush Dako i ka dhënë rreth 580 mijë euro.
Vetëm në 2 muaj, maj-qershor, para votimeve moniste të datës 30, Edi Rama e ka paguar kriminelin e tij të Vorës me rreth 230 mijë euro nga fondet e buxhetit të shtetit”, thotë ndër të tjera ish-deputetja demokrate.

Sipas saj, për të gjelbëruar rrugën për te sarajet e Ramës, Jorgo Toto ka marrë 400 mijë euro dhe media është shprehur se u shpërblye për ullinjtë dhe pemët që mbolli privatisht te sarajet e Surrelit.
“Krimineli i Ramës është paguar me rreth 400 mijë euro për të gjelbëruar rrethrrotullimin e Shkozës dhe rrugën e Surrelit, që të çon në sarajet e Edi Ramës. Kushdo që kalon në këtë rrugë, mund të shohë vetë më sy se aty nuk janë hedhur as 14 mijë euro gjelbërim, jo më 400 mijë. Sipas denoncimeve të medias, Jorgo Toto është shpërblyer me këtë tender për punën private që ka bërë në vilën e Surrelit të Edi Ramës për ta mbjellë me ullinj dhe pemë të tjera”, thotë Vokshi.
Vokshi shprehet se zgjidhja për këtë situatë është “vetëm shkatërrimi i organizatës kriminale shtetërore që ka ngritur Edi Rama”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




