Partia Demokratike publikoi dokumentet, sipas saj, autentike të marra nga sistemi italian i drejtësisë, ku provohen akuzat e saj se Valdrin Pjetri është dënuar në 2003 në Firence dhe për rrjedhojë është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi doli në një konferencë për mediat me dokumentin në dorë.
“Valdrin Pjetri, lindur më 18 shtator 1982, në Shqipëri është arrestuar në flagrancë më 27 janar 2003 në Firence. Më 28 janar 2003 ai ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë duke nënshkruar marrëveshjen për dënimin e menjëhershëm sipas legjislacionit italian. Më 12 qershor 2003, ai u dënua me 18 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale, shpërndarje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Për shkak të marrëveshjes me autoritetet italiane, më 3 shkurt 2003, Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më 4 shkurt është marrë masa e dëbimit nga shteti italian. Këto të dhëna zyrtare provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt i dekriminalizimit”, tha Bardhi.
PD akuzon Kryeministrin Edi Rama se është në dijeni të këtij fakti qëkur këto informacione i mori edhe PD, para se ta emëronte Pjetrin drejtues politik të qarkut të Shkodrës, por e mbron atë pikërisht për shkak të lidhjeve me krimin. Bardhi kërkoi nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimet ndaj kryetarit të bashkisë së Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Pjetri: Të vërtetën time e deklarova…
Pas publikimit të dokumenteve nga ana e PD, reagoi i zgjedhuri i PS-së në Shkodër si kryebashkiak, Valdrin Pjetri. “Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumente zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD”, thotë ai ndërsa nuk komenton asnjë nga dokumentet e publikuara nga selia blu. “Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane”, përfundon Pjetri.
Ndërkohë nga Partia Socialiste më herët reagoi kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Ai nuk mohon vërtetësinë e dokumentacionit të publikuar nga Partia Demokratike dhe kërkon që e gjithë çështja t’i lihet drejtësisë që të flasë.
“Ky rast konkret është një nga ato raste, kur politika duhet t’i referohet vetëm ligjit. E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj”, shkruan Balla në reagimin e tij.
Më tej, numri dy i Partisë Socialiste heq përgjegjësinë e përzgjedhjes së kësaj kandidature nga kjo forcë politike.
“Për Partinë Socialiste, qoftë pretendimet e opozitës jashtëparlamentare, qoftë sqarimet e dhëna nga Valdrini, përshirë edhe publikimin e dokumentacionit përkatës nga Italia (të vënë më parë në dispozicon prej tij, kur ne kemi kryer si për çdo kandidaturë të gjitha verifikimet ligjore që mundëson statusi ligjor i organizatës sonë) nuk mjaftojnë”, thotë ai.
Balla mohon akuzën e Gazment Bardhit se Edi Rama dhe PS është vënë në dijeni të dënimit të Valdrin Pjetrit në të njëjtën kohë me Partinë Demokratike nga një burim diplomatik.
“Hedhim poshtë me neveri akuzat lidhur me ndonjë marrje në dijeni, nga burime të ashtuquajtura “diplomatike” apo të çfarëdolloji tjetër, mbi pretendimin e Partisë Demokratike. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe do t’i referohet gjykatës, në formën e padisë njësoj si për shpifje të tjera”, vijon Balla.
Sa i takon Valdrin Pjetrit, Balla e mbyll reagimin duke distancuar Partinë Socialiste dhe duke kërkuar që për të të flasë drejtësia.
“Konkretisht, akuza e ngritur ndaj Valdrin Pjetrit, me një pretendim të bazuar në dokumenta joligjore nga ana e Partisë Demokratike, nuk mjafton as për t’u pranuar a priori, as për t’u rrëzuar a priori. Përtej dëshirës sonë që e drejta të jetë në anën e tij, Partia Socialiste garanton opinionin publik dhe komunitetin e nderuar të Bashkisë së Shkodrës, se përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, do të qëndrojë edhe në këtë rast në anën e ligjit dhe të interesit publik”, thotë ai.
Një ditë më parë, pankarta kundër Valdrin Pjetrit si kryetar bashkie në Shkodër janë shpërndarë në rrugët dhe lagjet e qytetit. “Narko Valdrini jashtë Bashkisë!”, shkruhej në pankartat në fjalë, që shoqërohen me logon e deformuar të Partisë Socialiste, ku në vend të trëndafilit është vendosur gjethja e hashashit.
Partia Demokratike thotë se shkodranët kanë nisur reagimin e tyre kundër kandidatit të Ramës, të cilin e akuzon prej javësh si të ndaluar për trafikim të lëndëve narkotike dhe të dëbuar nga Itali në vitin 2003.
Vetë Pjetri i mohon akuzat e Partisë Demokratike. Ai i cilëson ato si politike, ndërkohë që fletëpalosjet e shpërndara ditën e hënë kundër zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Shkodrës i cilëson trakte të shpërndara gjatë natës nga një grup prej 4-5 personash.
Shkodra së bashku me Lezhën janë dy bashkitë e fundit të djathta, ku kandidatët e PS-së në zgjedhjet e 30 qershorit nuk kanë marrë ende detyrën. “Kalaja” e fundit e demokratëve që u mor ishte Bashkia e Kamzës, ku Rakip Suli zuri vendin e Xhelal Mziut.
Zëvendësimi i kryebashkiakëve të opozitës nisi në Devoll. Këtu PD bëri rezistencë disaditore, por në fund e la këtë institucion. Rrotacioni, ku me forcë e ku në orët jashtë orarit zyrtar të punës vazhduan pa ndonjë rezistencë madhore nga ana e opozitës, përveç deklaratave, që e cilësojnë të paligjshëm 30 qershorin dhe marrjen e detyrës nga kryebashkiakët e rinj si uzurpim të pushtetit vendor.
Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi, ashtu si Xhelal Mziu më herët deklaron se nuk do ta lirojë zyrën e saj. Megjithatë, për Shkodrën opozita po përpiqet që të mos shkohet deri në ditën kur Pjetri të marrë detyrën, por përmes dekriminalizimit ta largojë atë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.