Politike

Molotovë drejt kryeministrisë- Berisha: Rama e ka vendosur veten mbi çdo ligj! (foto)

Nga Gazeta ‘Si’-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është i bindur se asgjë përpos protestave nuk e largon Edi Ramën nga pushteti.

Në fjalën e tij, në protestën e cila zgjati rreth dy orë, Berisha e quajti Ramën “kapobandë” dhe tha se opozita nuk do i ndahet as në Surrel.

“Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbë ne. Nuk mundet kurrë nje grusht hajdutësh, narkotrafikantësh të shkelmojnë mbi dinjitetin tonë, mbi të ardhmen tonë, të nxijnë Shqipërinë, të na përzënë nga Shqipëria.

Kemi dalë në shesh. Mos e harro këtë Edi Rama. Sheshi është i yni.

Kudo që të jesh, nuk të ndahemi. Nuk të ndahemi këtu, po të jap fjalën se nuk të ndahemi as në Surrel”, tha ai.

Nga podiumi, ai e akuzoi Ramën se e ka vendosur veten mbi ligjin dhe se është bërë multimiliarder me paratë e shqiptarëve.

Berisha u shpreh se kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut u bllokua nga kryeministri Rama, pasi sipas tij aferat e denoncuara implikonin edhe atë.

Kreu i PD-së theksoi se sipas tij, nga dokumentet e sekuestruara rezulton se zv.kryeministrja zotëron mbi 300 apartamente, dy jahte luksi, 15 supermarkete dhe prona të tjera.

Berisha theksoi se Rama nuk do të pranojë kurrë heqjen e imunitetit apo shkarkimin e Ballukut.

Ai u tha mbështetësve se PD është gati të bashkëpunojë me çdo faktor për front të gjerë opozitar dhe rrëzimin e qeverisë së korruptuar “Rama”.

Sipas tij, nga sot “Rilindja dhe Rama janë kufoma politike” dhe “funeralin do ia bëjë opozita”.

Berisha gjithashtu akuzoi qeverinë për përdorimin e administratës për kontroll të zgjedhjeve dhe për pasurim të paligjshëm.

“Pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës.

Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë. Me paratë tuaja, Edi Rama ka vendosur vellon e zezë të censurës, paguan mediat e tij, të cilat glorifikojnë të keqen, i thurin lavdi krimit të tij, demonizojnë opozitën, mashtrojnë qytetarët.

Me paratë që u grabit ju, ky armik i egër i qenies shqiptare, kontrakton lobistë, ish-ministra, ish-kryeministra, diplomatë, ambasadorë, zyrtarë të lartë, për deklarata të paguara, për mashtrime ndërkombëtare, për beteja kundër opozitës”, tha Berisha.

Sipas kreut demokrat, Shqipëria sot ndodhet në një nga momentet më kritike. Berisha theksoi se në 10 vite të qeverisjes së tij shqiptarët janë pakësuar dhe kanë humbur mbi gjysmën e rinisë së vet.

Pas fjalës së Berishës, protestuesit nisën të hidhnin molotovë drejt kryeministrisë.

Disa prej tyre hoqën një gardh metalik, ndërsa efektivët mbrojtën perimetrin e sigurisë, duke mos lejuar qytetarët që të hyjnë në oborrin e Kryeministrisë. Me pas, protesta para kryeministrisë përfundoi, për t’u zhvendosur para parlamentit. Edhe aty ishin vendosur forca të shumta policie.

Fjalën në protestën e PD e mbajtën edhe disa deputetë dhe kreu parlamentar Gazment Bardhi.

Deputeti i PD-së Belind Këlliçi, në fjalën e tij përpara Kryeministrisë tha se pushteti i Edi Ramës ka mbaruar.

Këlliçi shtoi se për të gjitha rastet e fundit, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.

“Sot jemi këtu si misionar. Ky pushtet ka mbaruar. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani. Zija ka rënë në Pallatin e Korrupsionit. Ata tentojnë të zhdukin provat e krimit dhe për të nxjerrë zbuluar njëri-tjetrin. Ata shantazohen mes tyre sot. Ne do e largojmë Edi Ramën. Ne nuk pyesim as për kreun e bandës, e jo për marionetat e tij”, tha Këlliçi.

Edhe deputeti i PD-së Klevis Balliu, në fjalën e tij tha se qeveritarët duhet të gjejnë vrimë e të futen, pasi i pret llogaridhënia përballë popullit.

Balliu tha se aksioni opozitar nuk mbyllet këtu, duke shtuar se duhet të shkallmohet narko-shteti.

“Qeveritarët po ia fusin njëri-tjetrit sot. Ju ua kallni datën. Biznesmenët në këtë vend blejnë verë 3 milionë euro. Të shkojnë në burg dhe t’u konfiskohen pasuritë. Bandat s’do kenë vrimë ku të fshihen. Kjo mbyllet vetëm me largimin e Ramës”, tha Balliu.

Në protestë, i pranishëm ishte edhe ish-deputeti e anëtar i Kryesisë së PD-së, Ervin Salianji. Kujtojmë se së fundmi, përplasjet në distancë, mes tij e kryedemokratit Berisha kanë qenë të shumta.

Madje, kreu i Partisë Demokratike, ka lënë të kuptohet se Salianji është vetëpërjashtuar nga kjo forcë politi

Por Salianji tha se nuk e përjashton dot asnjë njeri.

“Sot është rradha për të përjashtuar Edi Ramën. Unë jam në PD, do të jem në PD. Jam bashkëdrejtues i një lëvizje shumë të rëndësishme në PD” tha ai për mediat.

Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se ky do të jetë vetëm fillimi i një rezistence më të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama.

Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi madje as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë