Politike

PD: Privatizimi i truallit nga Bego, Ahmetaj personi kyç në aferë

Partia Demokratike nxori sot fakte të reja mbi projektin rezidencial që do të ndërtohet në zonën e ish-Serave, ku sipas demokratëve, në këtë skandal përfshihen jo vetëm kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, por edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.
Për privatizimin e tokës së ish-serave, PD ka zbuluar katër faturat që ka paguar biznesmeni Edmond Bego.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve, Erion Veliaj që flet për gjithçka, nuk u ka shpjeguar shqiptarëve pse e ndryshoi projektin e Lanës për llogari të projektit 60 milionë euro të Edmond Begos. Kush fshihet pas trafikantit ndërkombëtar të drogës, i cili ka deklaruar publikisht se nuk disponon 60 milionë euro. Këto pyetjeve duhet t’u japë përgjigje edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj. Ai është personi i dytë kyç në këtë aferë. Ahmetaj, mashtroi qytetarët, kur tha se ministria e drejtuar prej tij nuk ka pasur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës, ku i dënuari me 21 vjet burg për trafik droge do të ndërtojë projektin rezidencial 60 milionë euro. Ndryshe nga sa mashtron Arben Ahmetaj, dokumentet zyrtare provojnë se shitja është kryer për llogari të mikut trafikant droge të Taulant Ballës”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.

Për opozitën afera e projektit 60 milionë euro e ka pikënisjen te Ministria e Arben Ahmetajt.
“Përveç përmbylljes në një kohë rekord të privatizimit dhe shitjes së ish serave pranë Unazës së Madhe, ministria e Arben Ahmetajt ka pasur marrëdhënie direkte financiare me Edmond Begon për këtë pronë. Sot do të zbulojmë dokumentet zyrtarë që nxjerrin mashtrues Ministrin e Financave dhe përgënjeshtrojnë deklaratën e tij se nuk e ka kryer privatizimin dhe shitjen në shërbim të Mond Begos dhe se nuk ka asnjë fakt që e lidhin atë me procedurat e privatizimit. Faktet ndodhen në dosjen e privatizimit. Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016. Pagesat janë bërë nga kompania Inerte Ekspres, në pronësi 100 për qind të Edmond Begos”, theksoi zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa.

Në faturat e publikuara janë 4 pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat, njëra në 13 nëntor 2015, me vlerë 121 milionë lekë. 3 të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, më 11 Mars 2016. Në total janë 186.628.186 lekë.
“Vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, Ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish Serat, pranë Unazës së madhe. Me pagesën e 1.5 milionë eurove për Ministrinë e Arben Ahmetajt nga Edmond Bego, të gjithë e dimë si vijoi historia. Plani Urbanistik i Tiranës u ndryshua me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt; Projekti për Lumin e Lanës u ndryshua që të mos prekë tokën ku do të ndërtojë trafikanti i drogës; Bashkia e Tiranës ka miratuar fazën e parë të miratimit për lejen e ndërtimit. Projekti rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe dhe projekti korruptiv 40 milion euro për zgjerimin e Unazës së Madhe janë modeli më i qartë se nën drejtimin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Tirana është shndërruar në lavatriçen më të madhe në Ballkan për pastrimin e parave të pista”, theksoi Zhupa.

Ministria e Financave: Privatizimi jo nga Bego

Pas këtyre akuzave të lëshuara nga ana e Partisë Demokratike, ka reaguar ministria e Financave. Ky institucion hodhi poshtë pretendimet e PD-së në lidhje me faturat e publikuara, duke theksuar se shitja është bërë nga trashëgimtarët e familjes Pinari si pronarë të këtij trualli në zonën e ish-Serave.
Drejtori i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, Endrit Ducka, gjatë konferencës për shtyp deklaroi se “Kontrata e shitjes së objektit është firmosur nga palët, në asnjë rast ministria e Financës e Ekonomisë asnjë rast nuk ka firmosur me personin Edmond Begon. Në asnjë rast ministria e Financave nuk ka nënshkruar me këtë person”.
“Ky është dokumenti i firmosur nga këshilltari i Këshillit të Ministrave, i cili i ka hapur procedurë legalizimi në vitin 2007. Dëshiroj të ndalem në dy elementë që sqarojnë pozicionin e Ministrisë së Financave në këtë objekt. Për sa i përket faturave të publikuara, ministria e Financave ka autorizuar privatizimin e pronës te trashëgimtarët Maliq dhe Hamdi Pinari. Fatura e bankës figuron se është derdhur pagesa e plotë e trashëgimtarët Pinari, nga një entitetit privat Inert shpk, nuk e bën përfitues ministrinë e Financave”, theksoi Ducka.
Sipas tij, Ministria ka favorizuar kalimin e serave në pronësi të trashëgimtarëve Hamdi Pinari. Pagesa është kryer nga trashëgimtarët Pinari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë