Gazeta Si – Petro Gjikuria, një shqiptaro-amerikan, i cili jeton në SHBA dhe që ka ardhur gjatë ditëve të fundit në Shqipëri, është zgjedhur si kandidati i opozitës për zgjedhjet e pjesshme të Himarës.
Do të jetë pikërisht Gjikuria kandidati nga radhët e opozitës, i cili do të garojë përballë Vangjel Tavos i nominuar nga mazhoranca për të drejtuar Bashkinë e Himarës.
Fillimisht u fol se kandidat do të ishte djali i Fredi Belerit, Petro Beleri, por sipas burimeve, PD nuk ka rënë dakord që PBDNJ të propozojë këtë emër.
Gjatë ditës së djeshme, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka dhe kanë biseduar për kandidatin e Himarës duke rënë dakord për emrin e Peter Gjikurias.
Ditën e nesërme, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule pritet të dalë në një konferencë për mediet për të dhënë detaje për kandidatin Gjikuria.
Zgjedhjet në Himarë do të mbahen më 4 gusht, pasi disa ditë më parë KQZ vendosi të shpallte të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit, i dënuar për blerje votash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.