Nga Gazeta ‘Si’– Partia Demokratike ka dërguar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e re të Kuvendit të miratuar në Parlament vetëm me votat e mazhorancës socialiste, si dhe dekretin për ministren virtuale “Diella”.
Rregullorja e re e Kuvendit, përmes të cilës janë riorganizuar komisionet parlamentare duke u bërë 11 të tilla, u votua në seancën e 16 shtatorit me 79 vota pro të deputetëve socialistë.
Opozita i kundërshtoi në seancë ndryshimet e miratuara dhe i konsideroi puç kushtetues sepse sipas tyre nuk u respektua afati minimal me 7 ditë kohë, siç parashikohet edhe në procedurën e përshpejtuar.
Së dyti, bëhet fjalë edhe për dekretin e Presidentit Bajram Begaj për ministren virtuale Diella. PD thotë se Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton që ministri duhet të jetë qenie njerëzore, shtetas shqiptar dhe mbi 18 vjeç. Në rastin e ministres virtuale Diella, këto kushte nuk përmbushen, sipas opozitës.
Por Presidenca sqaroi para disa ditësh se Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si Kryeministër dhe në nenin 2 të të njëjtit dekret për kreun e qeverisë, sqarohet që Edi Rama ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual. Pra, për nuk ka një dekret të posaçëm për vetë “Diellën”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



