Nga Gazeta ‘Si’- Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, para seancës plenare që do mbahet, është shoqëruar me debate të forta mes palëve. Opozita ka akuzuar mazhorancën se po shkelte rregulloret që kishte miratuar vetë, duke iu trembur përgjegjësisë dhe transparencës.
Në fillim ishte kryetari i grupit Gazment Bardhi që tha se duhet të kaloheshin në diskutim dhe merreshin parasysh 3 kërkesat e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit, anulimin e seancës ku u votua pa debat qeveria dhe programi i saj dhe ndryshimi i rregullores.
Gazment Bardhi kërkoi thirrjen urgjente të Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit dhe denoncoi injorimin e mocionit me debat për programin qeveritar.
Kurse Jorida Tabaku kritikoi kalimin e raporteve në komisione të papërshtatshme, duke theksuar se mazhoranca po shkel rregulloren, që vetë ka miratuar.
“Raporti i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk dihet pse duhet të kalojë te Komisioni i Ligjeve. Komisioni përgjegjës për këtë çështje është Komisioni i ri për të Drejtat e Njeriut. Nuk mund të ketë komisione “kryesore” dhe të “dorës së dytë”. Po shkelni vetë rregulloren që e keni miratuar”, tha Tabaku.
Agron Gjekmarkaj akuzoi PS se po manipulon të vërtetën dhe po i shmanget llogaridhënies pas publikimit të raportit të DASH. Sipas tij, mazhoranca i trembet debatit për korrupsionin dhe dështimet e saj.
“Pavarësisht se vini nga zgjedhje farsë, Kuvendi ka zgjedhur një Kryetare dhe nuk është e nevojshme të zgjedhim një tjetër për të kontrolluar atë që kemi zgjedhur. Nuk doja të flisja, por zoti Balla, si gjithmonë, ka krijuar një të vërtetë të tijën, duke folur për ‘arritje’. Në fakt, dje doli një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kuvendi duhet të krijojë hapësirë për të diskutuar mbi ato çështje themelore që ngrihen në raport: krimi, korrupsioni, një realitet i zymtë.
Por ju po i ikni të vërtetës, duke ndërtuar një realitet fals. I shmangeni përgjegjësisë për të diskutuar mbi qeverisjen tuaj, sepse i trembeni transparencës”, u shpreh nënkryetari i Parlamentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




