Politike

PD nuk beson te Dekriminalizimi, ekspertët s’besojnë te Vettingu i PD

44 deputetët e opozitës, që nga kryedemokrati Lulzim Bashën dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë firmosur nismën për ndryshimin e Kushtetutës, duke kërkuar Vetting për politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit.

Drafti është bërë publik në faqen zyrtare të Parlamentit, duke u shoqëruar edhe me relacionin përkatës duke dhënë argumentet se pse duhet ndërmarrë një proces i tillë vettimi, që ka si “shënjestër” kryeministrin, ministrat, deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarë të tjerë.

“Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëjtave norma të Vettingut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publike, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në relacionin e draftit.

Kjo, sipas demokratëve, garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar, duke pastruar nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar”.

Ndërsa jepen shifra edhe për suksesin e ligjit të Dekriminalizimit si “6 deputetë të larguar; 3 deputetë të dorëhequr; 12 deputetë në hetim; 1 kryebashkiak të shkarkuar; 3 kryebashkiakë në hetim;  45 Zyrtarë drejtues të larguar; 110 zyrtarë të tjerë të larguar; 35 këshilltarë bashkiakë të shkarkuar; 21 këshilltarë bashkiake të dorëhequr; 18 kandidatë për deputetë të larguar; 5 gjyqtarë të dorëhequr dhe 89 nëpunës publikë lokalë të larguar”.

Por pavarësisht këtyre arritjeje që i dedikohet insistimit të PD-së për miratimin e këtij ligji, opozita duket se nuk ka më besim se te zbatimi i Dekriminalizimit.

Demokratët në relacionin e tyre për Vettingun në Politikë shprehen se ligji i miratuar dy vite më parë nuk po jep rezultatet e kërkuara, duke nënkuptuar se “Dekriminalizimit” është bërë i pazbatueshëm në thelb.

“Deputetë e kryebashkiakë u shkarkuan apo u larguan për shkak se ishin të dënuar për vepra penale të rënda, si trafikim i qënieve njerëzore dhe favorizimit të prostitucionit; vrasje; përdhunim në grup apo trafik ndërkombëtar droge. Parë efektet e këtyre rezultateve të dekriminalizimit duke larguar nga funksionet shtetërore individë të dënuar për kryerjen e krimeve u zhbënë, për shkak të transformimit në mënyra të reja të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe qeverisjes. Këto mënyra të reja të bashkëpunimit janë zëvendësimi i vetë eksponentëve të botës së krimit në institucionet më të larta të vendit me individë në shërbim të krimit të organizuar, të caktuar prej tyre në poste dhe detyra shtetërore, si dhe politikanë të lidhur drejtpërdrejt me eksponentë të krimit të organizuar. Për pasojë, dekriminalizimi rezulton i pamjaftueshëm për të shkëputur lidhjet e qeverisjes me krimin”, thuhet në realacionin shoqërues të nismës së opozitës.

Problemet ligjore me nismën kushtetuese

Opozita kërkon që drafti të shqyrtohet me shpejtësi, ku brenda tetorit të diskutohet, duke synuar që ndryshimet kushtetuese të realizohen përpara zgjedhjeve lokale. Por nisma, nuk ka të parashikuar se cili do të jetë institucioni apo struktura që do të realizojë vettingun e politikanëve.  Kjo ka ngritur shumë pikëpyetje nga ekspertët dhe konstitucionalistët për mënyrën e formulimit. Gjithashtu projektligji cilësohet i njëjtë me atë të  Dekriminalizimit, i miratuar dy vite më parë nga Kuvendi.

Juristi Sokol Hazizaj në një prononcim për RTSH-në e sheh nismën e PD-së dhe LSI-së si të nxituar dhe me tepër mangësi. Ai thekson se Kushtetuta i ka të gjitha instrumentat për ta bërë një gjë të tillë pa prekur ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Përgjegjëse për këtë situatë, Hazizaj bën marrëveshjen PD-PS në 2008-ën për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Kjo sipas tij është rrjedhojë e përfshirjes në politikë të njerëzve në konflikt me ligjin.

“Ndryshimet e sistemit zgjedhor dhe ato kushtetuese në 2008 sollën pasojën për të cilën politika ka vite që vuan. Pasoja është ndërmjetësimi, bashkëpunimi i politikës me krimin. Mendoj se drafti është i nxituar. Jemi përfundimisht, për shkak të ndërhyrjeve arbitrare dhe të pamenduara të politikëbërjes mbi Kushtetutën, jemi në mungesë totale të aksesit të qytetarit në sistemin e drejtësisë”, thotë Hazizaj.

Konstitucionalisti, duke u shprehur kategorikisht kundër ndëryrjeve për ndryshimin e  Kushtetutës, thotë se këto nisma të ndërmarra si nga pozita si nga opozita, kufizojnë të drejtat e qytetarëve. Madje ai shkon përtej, duke e parë këtë propozim si preludin e një marrëveshjeje të fshehtë politike, që mund të konkretizohet në të ardhmen.

Sipas tij roli i KQZ u zbut dhe u reduktua pas heqjes nga nenet e Kushtetutës dhe se i gjithë drafti i opozitës nuk ka ndonjë gjë të re në përmbajtje dhe në formë.

Konstitucionalisti i njohur sugjeron ngritjen sa më shpejt të institucioneve të drejtësisë dhe që politika të qëndrojë larg këtyre ndryshimeve Kushtetutese, që e thellojnë më tepër pamundësinë e zbatimit të ligjit.

Kuvendi pritet ta shqyrtojë nismën e PD-së, ku sturkturat përkatëse si Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit do të japin mendimet e tyre. PS ndërkohë ka dalë kundër ndryshimit të Kushtetutës, duke theksuar se vettingu i politikanëve do të bëhet nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ndërsa ende nuk ka një reagim nga ana e institucioneve ndërkombëtare apo përfaqësive diplomatike në lidhje me këtë nismë të ndërmarrë së fundmi nga ana e opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë