Politike

Foltorja e PD para kryeministrisë, Berisha: Viti 2026 fillon po me protesta

Gazeta Si – Në Foltoren e kësaj të hëne para kryeministrisë, Sali Berisha paralajmëroi se edhe viti 2026 do të nisë me protesta.

Kreu i demokratëve, në fjalën e tij godinës së qeverisë, tha se opozita është më e fuqishme se kurrë aktualisht dhe se shqiptarët duan largimin e Ramës nga pushteti.

“Mbyllim sot protestën tonë për të filluar vitin po me protesta. Kudo që shkoj gjej një vendosmëri absolute për t’u ndarë me këtë të keqe sa më shpejt. Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti. Ju garantoj se opozita është sot më e fuqishme se kurrë”, tha Berisha.

Ai mori si shembull Kosovën dhe zgjedhjet e fundit që u zhvilluan duke theksuar se është krenari për çdo shqiptar.

“Krenari e madhe, por edhe shpresë. Një shtet që shpall pavarësinë pak vite më parë, një shtet ku shqiptarët njëlloj si në Shqipëri janë shumicë, por një shtet që ecën me hapa gjigande drejt BE-së. Një shtet që studiuesit kanë gjetur se është vetëm 16 vite larg të qeverisjes së standardeve europiane. Kosova zhvillon zgjedhje, Kosova çdo krizë e zgjidh në përputhje me ligjin. Kryeministri i Kosovës nuk mban koordinator krimi”, tha ai duke akuzuar nga ana tjetër kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Berisha hodhi gjithashtu akuza të rënda ndaj qeverisë për lidhje me krimin, teksa tha se Ergys Agasi, i akuzuar për pengmarrje nga SPAK, rrahu me grushta ish-ministrin Ulsi Manja, duke i thënë sipas tij, se e kishte porosi nga ‘Kapoja’.

Sa i përket protestës së qytetarëve të Vlorës për ujin, Berisha e konsideroi një “ndëshkim qeveritar” dhe shtoi se ndodh në të gjithë Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë