Nga Gazeta ‘Si’-Ndonëse nisi qetë, protesta kombëtare e Partisë Demokratike u mbyll me molotovë dhe gaz lotsjellës.
Pas fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, protestuesit fillimisht ndezën flakadanë e fishekzjarrë si dhe hodhën shishe molotovi përpara godinës së Kryeministrisë.




Paskëtaj, situata u agravua kur protestuesit u zhvendosën drejt godinës së Kuvendit dhe nisën të hedhin mjete të forta ndaj policisë.




Nga ana tjetër, Policia iu përgjigj atyre me ujë dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit që thërrisnin në kor “Qeveri e krimit dhe Rama ik!”
Jo vetëm protestuesit por edhe deputetët e PD u përplasën me kordonin e policisë ku mes tyre u pa edhe deputeti i PD-së Luçiano Boçi.

Ndërkohë gjatë fjalimit, kreu i PD Sali Berisha u shpreh se sipas tij diktaturat nuk ikin me votë, por me revolta.
Teksa tha se Partia Demokratike është sot në kilometrin e fundit, ai deklaroi se beteja politike e opozitës ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por e domosdoshme për mbrojtjen e pluralizmit.

“Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë pa dyshim maratonë jo e lehtë.
Thuaj një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vitet e një përballje të egër me regjimin e narko-diktatorit Ramaduro, biri i një xhelati që firmoste varjen e kundërshtarëve politikë dhe që përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë.
Ai bëri gjithçka, përdori burgjet, manipulimet, lobimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i Shqipërisë pa opozitë apo kallp opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm për çdo çmim.
Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve”, tha ai.
Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke thënë se ky i fundit sipas tij kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë.
“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Ergys Agasi është Rama i errësirës dhe se Mirlinda e AKSHI-t është si motër siameze e Lindës së Surrelit. Dhe se Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten, familjarë e tij pasi ka vjedhur jo miliona por miliarda. “, tha Berisha.
Sipas tij, Rama ka penguar funksionimin e drejtësisë për të mbrojtur veten dhe familjarët.

Ndërkohë gjatë protestës mbajtën fjalën edhe eksponentë të ndryshëm të PD dhe opozitës.
Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, akuzoi Ramën pasi sipas tij e ka kthyer shtetin në pronë private! Referuar tij, korrupsioni mban emrin e kryeministrit Edi Rama.
“Është ai hajduti i 14 miliardë eurove, është ai, Edi Rama, cili pak prej neglizhencës sonë politike, pak nga humori i tij e më së shumti nga krimi i organizuar, e ktheu Republikën e Shqipërisë në Republikën e Korrupsionit.”, shtoi Boçi.
Deputeti demokrat tha se kryeministri Rama sipas tij ka marrë peng rininë e këtij vendi, fermerët, bizneset, pensionistët, mjekët e arsimtarët, dhe gjithë qytetarët.

“Kur përmendet emri i këtij njeriu, edhe alfabeti ynë i shenjtë bëhet pis me këtë emër”, shton ai.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, gjatë fjalës së tij, u bëri thirrje qytetarëve për t’u bashkuar për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Ta shkërmoqim dhe ta shkulim nga rrënjët këtë regjim të kalbur”, u shpreh ai.
Blushi shtoi se regjimet bien vetëm “kur vendosim të paguajmë çdo çmim për lirinë”.

“Liria fitohet vetëm me guxim, kurajë dhe përballje”, shtoi ai.
Edhe ish-deputeti Ervin Salianji iu bashkua protestës së PD para kryeministrisë pavarësisht përplasjeve me Sali Berishën dhe Flamur Nokën, të cilët kanë deklaruar se ai është vetëpërjashtuar nga partia pas foltoreve që po zhvillon me demokratët.

Rreth 1 mijë e 350 efektivë ishin në terren, për t’u siguruar për mbarëvajtjen e protestës dhe ruajtjen e rendit publik.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



