Axhenda e raporterëve të Këshillit të Europës për zgjedhjet e 14 majit nuk ishte aq burokrative (se herët e tjera) në misionin dëgjues dhe faktmbledhës për pretendimet zgjedhore kryesisht nga opozita nisur nga takimet që pati.
Të martën, ata zhvilluan takime me tre palë faktorësh brenda PD-së, fillimisht me Sali Berishën, më pas me Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dhe në fund më Lulzim Bashën.
Edhe pse Bardhi dhe Berisha i mbajnë takimet bashkë për axhendën e opozitës, tek ndërkombëtarët ata ndahen.
Të tre palët në PD përcollën njoftimet e tyre për shtyp nga takimet, ku objekti kryesor për Berishën ishte denoncimi i zgjedhjeve, për Bardhin hartimi një platforme konkrete për reformën zgjedhore dhe se si duhet zgjidhur mosmarrëveshja brenda PD-së ndërsa për Bashën ishin tre pikat e tij të trumbetuara ngado që fillon më vettingun e politikanëve.

”Basha i njohu me paketën e hartuar nga ekspertët e PD, për t’i kthyer shqiptarëve besimin tek vota dhe politika duke u dhënë fuqi vendimmarrëse dhe një politikë te pastër”, thuhet në deklaratën e PD-së zyrtare.
Në një tjetër zyrë, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi i falenderoi përfaqësuesit e KE “për qëndrimin e tyre në raportin pararendës ku theksohej se të gjitha demokracitë kanë nevojë për një opozitë që funksionon mirë dhe që siguron sistemin e duhur të kontrolleve dhe balancave të pushtetit”.
“I informova për përpjekjet për të bërë opozitën funksionale në Parlament dhe për të kapërcyer konfliktin e brendshëm partiak, përmes ndërtimit të një axhende të përbashkët opozitare” komentoi Bardhi.

Edhe Sali Berisha (në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike) priti në takim një delegacion të raporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të përbërë nga Asim Mollazada, Jonut Stroe, Bas Klein dhe Giulia Re, shefe e zyrës së KiE në Shqipëri.
Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë për mediat, Berisha tha se “Shqipëria gjendet në mesin e një krize që ka të bëjë me marrëdhënien speciale mes krimit dhe votës nën qeverisjen e Edi Ramës”.
Ai u ankua gjithashtu për sistemin e drejtësisë që sipas tij është i paralizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.