Gazeta Si – Partia Demokratike mblodhi mbrëmjen e kësaj të mërkurë Këshillin Kombëtar për herë të parë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Në rend dite janë përfshirë diskutime mbi situatën politike në vend, çështja e Belinda Ballukut dhe protesta kombëtare e lajmëruar më 22 dhjetor.
Por ajo që ra në sy, ishte mungesa e ish-deputetit Ervin Salianji, për të cilin Berisha paralajmëroi përjashtimin e tij, duke e akuzuar për bashkëpunim me Suel Çelën për organizimin e takimit të djeshëm me demokratët në Elbasan. Sipas burimeve, Salianji ndodhet në takime të tjera me demokratët në bazë këtë të mërkurë.


Ndërkohë mbledhja nisi me fjalën e kreut të partisë, Sali Berisha, e cila ishte e hapur për mediat, ndërsa diskutimet do vijojnë me dyer të mbyllura.
“Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. E kam thënë me dhjetëra herë dhe e them përsëri, por e dyta ne u thamë shqiptarëve se do mbrojmë votën dhe se mbrojtja e votës ishte prova më e madhe e seriozitetit tonë e përkushtimit tonë, e vendosmërisë, integritetit dhe ndershmërisë sonë”, tha Berisha.
Ai u shpreh se do të fillojnë grevat dhe demonstratat, deri sa Edi Rama do të japë dorëheqjen.
“Jemi këtu, jemi në emergjencë, jemi në provën e guximit tonë. Nuk ikën ai. Po nuk u ngritëm ne… Ai do vazhdojë: ‘Unë udhëheqësi i Reformës’. ‘Unë me 84 vota’, që na i vodhi ne. Jo, kësaj radhe do flasim ne. Kjo është prova jonë e madhe. Përsëri, besimi i shqiptarëve është te ne. Sepse po të mos na shihte, nuk na votonte fare, na shuante”.
Berisha bëri një autokritikë dhe paralajmëroi: “A kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo, nuk e kemi bërë. Kemi bërë shumë protesta. Mirë kemi bërë. Kemi treguar ‘muskujt’. Kemi bërë lëvizje. Nuk ishin ato që e rrëzonin Edi Ramën. Edi Ramën e rrëzon ajo lëvizje që shkon aty dhe nuk shqitet. Dhe ne do e bëjmë këtë lëvizje, me greva, demonstrata, me të gjitha format. Tani jemi me të drejtën e Zotit. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i bëri farsë. Kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend”, tha ndër të tjera Berisha.
Në rendin e ditës janë dy pika për diskutim. E para ka të bëjë me protestën e 22 dhjetorit dhe mobilizimin e anëtarëve të PD-së për të pasur sa më shumë qytetarë në shesh.
Por nuk do të shmangen edhe diskutimet sa i përket lëvizjeve brenda Partisë Demokratike pasi shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dhe presin që sot kritikat t’i shprehin edhe aty.
Nga ana tjetër, rreth 17 anëtarë të Këshillit Kombëtar kanë ndërtuar një platformë që do i prezantohet Këshillit Kombëtar.
Ajo ka të bëjë me “desorifikimin” e PD dhe kërkohet që të largohen nga PD të gjithë ata individë që është vërtetuar që kanë përfituar ose kanë qenë pjesë e tenderave të dhëna nga qeveria Rama. Do të shihet nëse do miratohet nga Këshilli Kombëtar apo jo.
Dokumenti është firmosur nga 17 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, të cilët kërkojnë që platforma të merret në shqyrtim dhe të diskutohet në mbledhjen e sotme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




