Politike

PD mbledh grupin parlamentar, Berisha: Të përgatitemi për protestat më të fuqishme

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka mbledhur sot, 8 dhjetor, grupin parlamentar.

Ajo u drejtua nga kreu i partisë, Sali Berisha, i cili i paralajmëroi deputetët e tij të përgatiten për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi. Sipas tij, Rama nuk largohet “pa angazhimin e qytetarëve shqiptarë”.

“Jemi në këtë situatë, ndaj dhe ne bashkërisht në një dialog intensiv me shqiptarët duhet të përgatitemi se Edi Rama nuk largohet pa angazhimin total të qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe ne në një dialog intensiv me shqiptarët duhet të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi”, tha Berisha.

Ai njoftoi se PD-ja do të paraqesë në Kuvend një platformë për ripopullimin e vendit.

“Ne do paraqesim në parlament elementët bazë të platformës sonë për ripopullimin e vendit. Në qoftë se nuk bëhen hapat e parë të mbështetura financiarisht ne po ecim drejt një humnere kombëtare. Në qoftë se fillojmë këtë vit do duhen 30 gjer në 50 vjet për të arritur aty ku ishim në vitin 2013”, tha Berisha.

Kreu i demokratëve u ndal ndër të tjera edhe te situata ekonomike në vend. Ai bëri me dije se në parlament do të paraqitet edhe një amendament për minimumin jetik 200 euro.

“Me këtë rritje çmimesh është e domosdoshme që minimumi jetik të jetë mbi 200 euro. Minimumin jetik nuk e kompenson asnjë lloj rritjeje tjetër. Ndaj dhe vendosja e minimumit jetik do të jetë e vetmja betejë në parlament”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi se, “në këtë rritje ekonomike për herë të parë pas 32 vitesh, ekonomia shqiptare në rritje është minorancë, ka kontribut minorance. Për herë të parë në 32 vite shteti është kontributor kryesor, jo se janë sipërmarrjet publike të shtetit. Se ka shtete që menaxhojnë sektorë publikë prodhimi që predominon mbi sektorin privat”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë