Politike

PD me aleatët, mungon Shehi. Noka: Protesta e 11 korrikut hap siparin e zgjidhjes politike

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka mbledhur për herë të parë të gjithë aleatët bashkë me qëllim koordinimin e protestës që do të mbahet me 11 korrik para kryeministrisë. Në takim nga aleatët mungonte vetëm Dashamir Shehi i cili prej kohësh është distancuar nga PD.

‘...Në këto ditë që na kanë mbetur, të gjitha strukturat tona, të gjithë mbështetësit e partive tona duhet të shpërndahen në mënyrë kapilare në vend që t’u bëjmë thirrje qytetarëve: është koha tani, o sot o kurrë, të protestojëm kundër narkoregjimit, të protestojmë kundër shpopullimit, të protestojmë kundër varfërisë.

Të protestojmë kundër një regjimi që ka asgjësuar votën e lirë dhe nuk bën zgjedhje të lira prej 11 vitesh.

Kundër një regjimi ku 44 përqind e popullsisë jetojnë në varfëri.

Do i ftojmë qytetarët që me datë 11 korrik në ora 20:00 ndaj një regjimi që i ka katandisur fëmijët dhe të rinjtë në kequshqyerje që do ndikojë në zhvillimin e tyre fizik dhe mendor.

Një regjim që po bën gjithçka për të sakatuar të ardhmen...”, tha ndër të tjera Noka

Kjo protestë, sipas tij, do çelë siparin e reagimeve për t’i dhënë zgjidhje politike vendit.

“Zgjidhja politike dhe paqja sociale do të vijë në këtë vend kur qeveria teknike të përcaktohet njëlloj si fqinji ynë, Maqedonia e Veriut, si rruga e vetme për t’i dhënë këtij populli mundësinë që të votojë si çdo qytetar evropian” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë