Nga Gazeta 'Si' -Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka nisur një letër të gjithë bordeve të donatorëve që bëjnë raporte monitorimi për Shqipërinë, me autore Linda Rama, bashkëshorten e Kryeministrit.
Ata kërkojnë që Linda Rama të mos merret më për matje apo vlerësime pasi sipas tyre kjo i bën raportet e pabesueshme.
Letra vë në dukje se 'Linda Rama sipas gjithë ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, është gjendur përballë konfliktet të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana juaj per të kryer matje, analiza apo vlerësime ekonomike apo sociale për Shqipërinë përsa kohë që bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit’
Deputetët ngrenë shqetësimin se kredibiliteti mund të dëmtohet rëndë referuar tyre pasi 'për shkak të interesit të drejtpërdrejtë ajo e ka të pamundur paanshmërinë.'
"Shqipëria sot vuan nga mungesa e theksuar e të dhënave të besueshme edhe objektive. Ndaj çdo raport ndërkombëtar mbi ecurinë e zhvillimit ekonomik dhe social në Shqipëri, konsiderohet një burim i besueshëm informacioni që tejkalon propagandën edhe mosbesimin e gjithë palëve të tjera.
Po ashtu raportet e donatorëve furnizojnë me njohuri të nevojshme edhe të domosdoshme për ndërtimin edhe të politikave zhvillimore . Por duke u përgatitur direkt nga shtëpia kryeministrore kjo vë në rrezik gjithë besueshmërinë e raportimeve tuaja, duke dobësuar kështu besimin e publikut se ju jeni partnerë të barazlarguar nga palët politike.
Kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve të sponsorizuara nga institucionet tuaja dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikërisht znj. Linda Rama e cila për shkak të interesit të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmerinë. Gjithashtu pasurimi i zj.Rama dhe për rrjedhojë familjes së saj kryeministrore, ndonëse në këtë rast nga fonde jo publike por për shkak të lidhjes me qeverinë të raportimeve është e papërputhshme edhe me Kushtetutën e Shqipërisë", thuhet në letrën e PD.
Deputetët e PD shkruajnë se nuk gjykojnë kapacitet profesionale të zonjës Rama por gjykojnë se kriteret e saj të pavarësisë, edhe pranushmërisë janë të cënuara. Ata shkruajnë se ekspertiza e Linda Ramës mund të përdoret në raporte për shtete të tjera, ku sipas tyre ajo nuk ka konflikt interesi.
"Standartet tuaja etike për shmangien e konfliktit të interesit ku para marrjes së çdo projekti cilido ekspert duhet të kaloj kriteret e pranueshmërisë (eligible criteria), në këtë rast nuk janë plotësuar.
Grupi Parlamentar pasi sqaron gjithë problematikat që vijnë nga ky fakt shprehet se: ‘Në këto kushte ne shprehim shqetësimin që të dhënat tuaja të deritanishme janë të kontaminuara nga njëanësia e autores Linda Rama dhe kërkojmë eliminimin të çdo lloj influence si autore apo nëpërmjet qendrave të krijuara prej saj ose me të ardhmen në projekte që lidhen me Shqipërinë", thuhet në letrën e PD dërguar UNDP, ILO, UNICEF, USAID.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.