Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një letër zyrtare ambasadave të huaja në Tiranë, ku shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në vend.
Në fokus të reagimit është mbledhja e paralajmëruar e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e Shqipërisë më 9 prill, e iniciuar sipas tyre nga kryetari Sokol Sadushi, për të shqyrtuar çështje që lidhen me paraburgimet.
Demokratët e konsiderojnë këtë nismë si të pajustifikuar ligjërisht dhe të ndërmarrë në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit, kur disa zyrtarë të lartë janë nën hetim.
“Nëpërmjet kësaj letre, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë më 9 prill, për të shqyrtuar çështje që lidhen me masën e sigurisë ‘arrest në burg’ (paraburgim). Kjo paraqet një nismë personale të kryetarit Sokol Sadushi, pa një justifikim ligjor mbi bazën e saj.”
Në letër përmendet edhe rasti i Erion Veliaj, si i vetmi zyrtar i lartë aktualisht në detyrë që ndodhet në paraburgim, ndërsa paralajmërohet se çdo ndryshim në interpretimin e kësaj mase sigurie mund të ndikojë edhe figura të tjera të profilit të lartë.
“Kjo nismë vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit në vend, ku një numër zyrtarësh të lartë dhe ish-zyrtarësh janë aktualisht nën hetim ose subjekt i masave të sigurisë për akuza të rënda, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Aktualisht, i vetmi zyrtar i lartë në detyrë që ndodhet në burg është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjithashtu, ky vendim mund të ndikojë edhe disa figura të profilit të lartë të krimit të organizuar që aktualisht ndodhen në paraburgim.”
Opozita shpreh shqetësim për deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të tjerë të ekzekutivit, të cilat kritikojnë numrin e lartë të paraburgimeve, duke ngritur dyshime për ndikim të mundshëm mbi institucionet e drejtësisë.
“Në të njëjtën kohë, deklaratat e fundit publike nga përfaqësues të lartë të pushtetit ekzekutiv, përfshirë Kryeministrin, kanë shprehur kritika ndaj përdorimit të ‘arrestit në burg’ dhe praktikës më të gjerë të paraburgimit. Këto deklarata kanë ngritur shqetësime shtesë lidhur me perceptimin e mundshëm të ndikimit ose presionit ndaj institucioneve të drejtësisë në një moment kaq të ndjeshëm. Ekziston një shqetësim i arsyeshëm publik se një interpretim i ri ose më i butë i kësaj mase sigurie mund të çojë në ndryshime në statusin e personave të ndaluar, përfshirë figura të profilit të lartë politik dhe të krimit të organizuar. Një zhvillim i tillë mund të ndikojë ndjeshëm besimin e publikut në pavarësinë e gjyqësorit dhe seriozitetin e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.”
PD u bën thirrje ambasadave të monitorojnë procesin, të nxisin transparencën dhe të mbështesin funksionimin e një sistemi drejtësie të pavarur, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë çështje me ecurinë e integrimit evropian të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje