Politike

Ligjet rrëzojnë kërkesën e PD-së për shkarkimin e Begajt

Nga Gazeta ‘Si’– Komisioni i Ligjeve ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Kërkesa e opozitës u depozitua më 15 tetor në Kuvend dhe përmbante shtatë akuza konkrete ndaj kreut të shtetit.

Sipas PD-së, Begaj ka vepruar në kundërshtim me ligjin në disa raste, përfshirë dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, ndërhyrjen në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe dekretimin e ligjit për Komisionet Hetimore, pa respektuar procedurat.

“Presidenti Begaj ka shkelur në mënyrë flagrante disa nene të Kushtetutës së Shqipërisë. Ka kryer në total shtatë shkelje. Ai lejoi që ambasadorët të marrin pjesë në fushatën e PS-së. Ai cenoi barazinë e palëve në zgjedhje, duke lejuar që partia dhe shteti të shkrihen bashkë. Ka dështuar në rolin e tij neutral dhe për të qenë mbi palët. Është rrënuar neutraliteti politik, që duhet të gëzojë Presidenca e Republikës”, tha deputeti Gjin Gjoni tek Ligjet.

Ndërsa deputetja e PS-së Aulona Bylykbashi, në fjalën e saj u shpreh se presidenti nuk ka kryer shkelje.

“Presidenti nuk ka kryer shkelje ligjore dhe ndaj kërkesa e opozitës nuk zë vend. Asnjë nga pretendimet e ngritura nga opozita nuk plotëson standardin e shkeljes së rëndë, referuar Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa e deputetëve për shkarkimin e presidentit, nuk plotëson asnjë standard dhe ndaj nuk ka pse të ngrihet asnjë Komision Hetimor”, tha ajo.

Demokratët e akuzojnë gjithashtu Begajn për përfitime të paligjshme dhe konflikt interesi. Sipas tyre, ai rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, ndërsa i biri dyshohet se është punësuar fiktivisht në një kompani sigurimesh, që ka fituar tendera nga Presidenca.

Në kërkesën zyrtare theksohet se këto veprime përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe cenojnë integritetin e institucionit të Presidentit të Republikës.

Sipas nenit 90 të Kushtetutës, shkarkimi i presidentit mund të ndodhë vetëm për shkelje të rënda të ligjit themelor ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Kërkesa duhet të nënshkruhet nga të paktën 35 deputetë dhe të miratohet në Kuvend me 94 vota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë