Politike

PD kërkon Komision Hetimor për AKSHI‑n

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor në lidhje me skandalin e AKSHI-t.

Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, PD evidenton akuzat e ngritura nga SPAK ndaj ish drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses Hava Delibashi, dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri si dhe zyrtari të policisë, Erion Ismaili, për të cilët Prokuroria ka ngritur akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë, shkeljes së barazisë në tendera, pastrim parash si edhe grup i strukturuar kriminal.

Në kërkesë, PD kërkon vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, si dhe analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

PD thekson se puna e AKSHI‑t duhet të vihet nën kontroll parlamentar për të sqaruar mënyrën se si janë trajtuar informacionet e ndjeshme.

“Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tri kriteret kushtetuese si vijon: (i) çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat Kuvendi është i autorizuar të marrë masa ligjore; (ii) objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete; dhe (iii) ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencëne problematikave dhe dyshimeve të arsyeshme lidhur me ligjshmërinë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve dhe zyrtarëve shqiptarë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në administrimin e procedurave të prokurimit publik, në garantimin e sigurisë kibernetike, në mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, si dhe në administrimin e infrastrukturës digjitale kritike të shtetit.”, thuhet në kërkesë.

Kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor është dorëzuar formalish në Kuvend dhe tani pritet shqyrtimi nga deputetët dhe diskutimi në seancë plenare. Sipas rregullave parlamentare, një komision i tillë mund të krijohet kur mbështetet nga një numër i mjaftueshëm deputetësh, dhe më pas emërohen anëtarët që do të nisin hetimet e nevojshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë