Politike

PD kërkon komision hetimor, Berisha: McGonigal i përfshirë në procesin e vettingut

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa në Kuvend po diskutohej për kërkesat e opozitës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare, mes tyre edhe ai për “McGonigal”, seanca nuk i ka shpëtuar debateve dhe replikave të forta, të shoqëruara edhe me akuza.

Pak pasi referuesi kundër për mazhorancën, Bledi Çuçi mbajti fjalën e tij dhe renditi arsyet pse refuzonin këtë komision, fjalën për replikë e mori ish-kryeministri Sali Berisha.

Duartrokitjeve të socialistëve për fjalën e Çuçit, Berisha iu përgjigj nga foltorja:

“Duartrokitjet tuaja janë histeri kolektive”, tha kreu i PD-së.

Më tej ai shpjegoi edhe arsyet pse opozita kërkonte Komisionin parlamentar.

“E kërkojmë këtë Komision sepse emri i Ramës në këtë dosje në Gjykatën e Uashingtonit përmendet 13 herë në 13 pika, se thuhet se është i lidhur me McGonigalin, e ka korruptuar. Se ky njeri është i implikuar, mori Tom Doshin dhe Durim Bamin në avion në Vjenë. Se është i implikuar te kompania e naftës. Në dosje thuhet se mori nga zyra e Ramës 225 mijë dollarë ish-agjenti i sigurimit dhe ia dha atij, për efektin e korruptimit të McGonigal. Në dosje thuhet se McGonigal u mor edhe me çështjen e reformës, se u bë qytetar nderi aty dhe këtu. Se kompania ishte e lidhur me Deripaskën”, u shpreh Berisha.

Opozita pretendoi mes të tjerash se ngritja e Komisioneve Hetimore përcaktohet me rregullore, ligj dhe Kushtetutë, kur e kërkon një e katërta e deputetëve të parlamentit dhe ngritja është e detyruar dhe nuk vihet në diskutim.

Deputeti Oerd Bylykbashi e vuri në dukje këtë çështje gjatë fjalës që mbajti pas Berishës në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë