Politike

PD kërkon karantinë totale 14 ditore: Qeveria të marrë këto 3 masa lehtësuese

Partia Demokratike ka kërkuar aplikimin e një karantine totale 14 ditore, duke e cilësuar si një zgjidhje që ndihmon në mospërhapjen e gjerë të koronavirusit. Me anë të një deklarate për median selia e PD-së i ka cilësuar si gjysmake vendimet e marra nga ana e qeverisë, duke shtuar se vendimi i fundit i qeverisë për qarkullimin e makinave nuk i shërben këtij qëllimi.
“Lejimi i lëvizjes së automjeteve në mëngjes dhe 1 orë pasdite zgjidh vetëm lëvizjen me makinë të drejtorëve të Edi Ramës. Është një vendim që tregon paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës dhe pandjeshmërinë e saj. Koronavirusi nuk infekton part time, sipas orareve që cakton nga shtëpia Edi Rama. Ose ka, ose nuk ka karantinë. Ose lejohet lëvizja për punë në oraret individuale të punës, ose nuk lejohet! Vendimet gjysmake janë si të vërtetat gjysmake, dëmtojnë më shumë”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Më tej theksohet se në kushtet kur qeveria nuk përmbush detyrimin ligjor që të dezinfektojë rrugët, parqet apo pallatet, qytetarët duhet të qendrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur. Kjo masë sipas partisë më të madhe opozitare duhet të shoqërohet menjëherë me miratimin nga qeveria të paketës së masave për pasojat social-ekonomike të krizës.
“Është koha që Edi Rama të mos kërkojë sakrifica vetëm nga qytetarët. Për të përballuar qendrimin e qytetarëve në shtëpi, shteti duhet të rimbursojë të plotë pagën e tyre. Në vend që të bëjë mjekun, sanitarin, policin apo ushtarin, Edi Rama duhet të bëjë tani Kryeministrin! Të miratojë paketën social ekonomike, që përfshin, ndër të tjera: 1. Riimbursimin e bizneseve; 2. Rimbursimin e pagës së punonjësve 3. Ndihmën për të papunët dhe familjet në nevojë”, thuhet në reagimin e demokratëve.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/3019951101389384


Më herët kryedemokrati Lulzim Basha kishte ngritur shqetësimin për mungesën e tamponëve për kryerjen e analizave për të dyshuarit nga koronavirusi. “Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësim mbi mungesën e tamponeve të testit për COVID 19. Është urgjente dhe e rëndësishme blerja e menjëhershme e një sasie të mjaftueshme tamponësh me të cilët kryhen testet që saktësojnë nëse je apo jo bartës i COVID 19. Sa më shpejt të identifikohen të prekurit, aq më shpejt mundësohet izolimi dhe trajtimi i tyre duke minimizuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Çdo vonesë në sigurimin e një numri më të madh tamponësh testimi do të na kushtojë shumë”, deklaroi Basha.
Duke kërkuar më tepër transprancë nga ana e qeverisë, Basha theksoi se duhen krijuar ambjente të posaçme trajtimi për personat e prekur me COVID 19 edhe në qytete të tjera të vendit ku numri i të prekurve sa vjen e rritet. “Në këtë situatë, qeveria duhe të marrë masa urgjente të ndihmojë me ushqime dhe detergjentë familjet e varfra dhe ato në nevojë ekonomike. Çdo ditë që kalon e bën të vështirë dhe të pamundur që një pjesë e konsiderueshme e bashkëqytetarëve të përballojnë mbijetesën. Të gjitha vendet e prekura nga COVID 19 veç masave për parandalimin e përhapjes së virusit, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar financiarisht qytetarët e izoluar në shtëpitë e tyre dhe bizneset që preken nga kjo situatë. Është koha që dhe qeveria shqiptare të veprojë për të ndihmuar familjet në nevojë”, deklaron Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë