Politike

PD kërkon barazinë në komisionin e Administratives dhe Territoriales (dokumenti)

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka kërkuar ndryshime në vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Duke iu referuar traditës parlamentare dhe rëndësisë që kanë këto dy reforma, demokratët kërkojnë barazi mes pozitës dhe opozitës.

Përkatësisht, për reformën zgjedhore kërkohet që komisioni të përbëhet nga 16 anëtarë, ku  8 i përkasin Partisë Socialiste,  6 Partisë Demokratike, dhe nga 1 përfaqësues  nga grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe grupin parlamentar të Partisë së Lirisë.

I njëjti parim kërkohet të zbatohet edhe për Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale.
Gjithashtu, kërkohet që pjesë me ekspertizë të jenë institucionet ndërkombëtare, përfshirë këtu Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Po ashtu, për çështje të veçanta për të cilat palët nuk arrijnë konsensus, propozohet që ato t’i drejtohen Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Europës.

PD ka kërkuar edhe ndryshimin e pikës 3 në projekt vendimin për reformën zgjedhore, e cila kërkon t’i imponojë opozitës partinë e Tom Doshit si parti të opozitës.

Kujtojmë që një ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve pati debate, pasi opozita tha se PS kërkon që t’i imponojë opozitës partinë e Tom Doshit si parti të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë