Politike

PD kallëzon në SPAK Peleshin: Bllokoi mbledhjen për çështjen ‘Balluku’

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas PD-së, Peleshi ka penguar qëllimisht mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili duhet të shqyrtonte kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit të zv.kryeministres Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj.

Në kallëzim thuhet se SPAK i ka drejtuar Kuvendit kërkesën zyrtare më 16 dhjetor 2025 për autorizimin e arrestimit ose heqjes së lirisë së Ballukut.

Këshilli i Mandateve është mbledhur më 19 dhjetor, por, sipas PD-së, kryetari i Kuvendit e ka ndërprerë mbledhjen në mënyrë arbitrare, pa marrë një vendimmarrje dhe pa caktuar datë për vijimin e shqyrtimit, duke argumentuar se anëtarëve u nevojitej më shumë kohë për t’u njohur me dokumentacionin.

Demokratët theksojnë se pesë anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur thirrjen e mbledhjes në disa data gjatë dhjetorit 2025 dhe janarit 2026, por këto kërkesa janë refuzuar.

Sipas tyre, koha për njohjen me aktet ka qenë e mjaftueshme, ndërsa vetë SPAK ka theksuar urgjencën e çështjes për shkak të rrezikut të prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.

PD argumenton se refuzimi i thirrjes së Këshillit përbën shkelje të hapur të Rregullores së Kuvendit dhe ka dëmtuar jo vetëm të drejtën e deputetëve për të ushtruar funksionin e tyre, por edhe mbarëvajtjen e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.

Në këto kushte, sipas kallëzimit, Niko Peleshi ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, përmes mosveprimit të qëllimshëm dhe përdorimit të funksionit publik në kundërshtim me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë