Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Peleshi, ku i kërkon të “shmangë çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës” dhe të garantojë që “secili deputet të ketë mundësinë të prezantojë pyetjet e tij”.
Në shkresën e firmosur nga drejtuesi i grupit, demokratët i kujtojnë Peleshi se çdo ndryshim i njëanshëm në interpretimin e Rregullores “përbën atentat ndaj parlamentarizmit dhe asgjesim të të drejtave të opozitës parlamentare”.
“Çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34-vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizimit dhe asgjesim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës”, theksohet në shkresë.
Kërkesa e PD-së vjen në prag të seancës të radhës plenare më 27 tetor, ku sipas rendit të ditës janë përfshirë raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese.
Demokratët konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në debat dhe miratojnë kohën e përcaktuar për diskutim – 150 minuta për secilin raportim – siç ishte rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve.
Në përfundim të shkresës, grupi parlamentar i PD-së i kërkon Peleshi që, “në ushtrim të përgjegjësive të tij”, të marrë masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe të ndalë menjëherë “aktet provokative ndaj opozitës dhe sjelljes së saj konstruktive në Kuvendin e Shqipërisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



