Politike

PD i kërkon Peleshit përsëritjen e seancës së 18 shtatorit: Ishte njollë turpi për Kuvendin!

Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën e sotme plenare opozita po kërkon përsëritjen e seancës për prezantimin e programit të qeverisë, i cili seancën e kaluar u miratua direkt pas kaosit që opozita krijoi në sallë.

Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka nuk janë në këtë seancë pasi u përjashtuan për 10 ditë si ndëshkim për kaosin që shkaktuan në seancën ku u votëbesua kabineti i ri qeveritar.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku refuzoi miratimin e procesverbalit për seancën e kaluar duke kërkuar në shkresë dhe përfshirjen e mohimit të fjalës së Gazment Bardhit për të diskutuar programin qeverisës së PS-së.

Në emër të PD, Tabaku kërkoi përsëritjen e seancës së kaluar, ku pa debat u miratua programi i qeverise.

“Është hera e parë që në 30 vite që qeveria kalon dhe miraton pa diskutuar programin e qeverisë. Ne kemi bërë një kërkesë për t’u përsëritur ajo seancë. Duhet të diskutojmë prioritetet tuaja, por edhe prioritet tona.

Unë e kuptoj qeveria nuk ka vizion, por nuk mund t’ia mohoni të drejtën opozitës që të kenë një debat parlamentar. Të drejtën e fjalës ju nuk na i hiqni dot.

Edhe deputetja Ina Zhupa kërkoi në Kuvend përsëritjen e seancës plenare për prezantimin e programit të qeverisë.

Akuza pati edhe për kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi që ndërpreu seancën e kaluar për 25 minuta pas kaosit të opozitës, duke e quajtur “një ushtar të Ramës”.

“Të zhvilloni procedurën siç e kërkon kushtetuta, të drejtën për t’i bërë pyetje kryeministrit, debat parlamentare Ju keni zbardhur një procesverbal që nuk tregon realitetin. Ju ftoj të nënvizoni me të zezë, fjalën kërcënuese teksa u urdhëron juve që të mbyllni seancën pasi e lanë nervat nga mosrakordimi i opozitës, siç e donte. Këtu kemi një autokrat, që mendon hallet e veta në kokë dhe nuk duron dot se çfarë mund të jetë debati parlamentar. Jeni të detyruar të silleni si ushtar për të mbyllur seancën. Ajo seancë të përsëritet për programin, pavarësisht dekreteve që keni marrë si ministra këtu dhe të gjithë deputetët të flasin për interesin publik. Mos e miratoni procesverbalin”, tha Zhupa.

Deputeti i PD, Belind Këlliçi e cilësoi seancën e 18 shtatorit si njollë turpi për Kuvendin dhe Partinë Socialiste. Ai i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshi që të rregullojë procesverbalin e seancës së kaluar plenare.

“Nuk mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale. Ju thoni që do të hedhim procesverbalin për votim dhe sikur qytetarëve t’u tregojmë sikur jemi Kuvend demokratë. Ai procesverbal që doni të votoni, doni të harroni atë seancë që kaloi. Në shkelje të premtimit që dhatë në atë seancë, para se t’i jepnit fjalën zotit Bardhi, ia dhatë fjalën zotit Balla.

Që të kalojë seanca e seancave më e rëndësishmja e 4 viteve, vetëm në 25 minuta dhe të dëgjohen vetëm socialistët, kjo është një njollë turpi për këtë Kuvend dhe për ju. Ai procesverbal nuk tregon të vërtetën, deputetët e opozitës, dhe ju vetë. Ju korrigjoni procesverbalin dhe rregulloheni”, tha Këlliçi.

Ndërkohë, Peleshi u përgjigj duke thënë se “ky nuk është diskutim për përmbajtjen e procesverbalit, apo për të treguar temperaturën e diskursit politik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë