Politike

PD: Fshatra turistikë pa rrugë e ujë, Qeveria u servir menynë se çfarë të hanë. Të hetojë SPAK

Partia Demokratike këmbëngul se tenderi 50 mln lekësh për krijimin e menyve të 100 fshatrave turistikë është një aferë e pastër korruptive në Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe i kërkon SPAK-ut që ta hetojë këtë aferë.

Deputetja Dhurata Çupi tha se në këta fshatra mungojnë shërbimet elementare, ndërsa qeveria mendon për menynë.

“Në vend që qeveria dhe Fondit Shqiptar i Zhvillimit të fokusoheshin tek ndërtimi i infrastruktures, furnizmi me ujë të pijshëm, energji të pandërprerë, pastrimi, restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike, vemendja ishte tek krijimi i një menuje se çfarë duhej të servirej për të ngrënë në këto fshatra!”, tha Çupi.

Sipas PD, programi i 100 fshatrave turistikë i nisur si projekt në 2018-n është një premtim i pambajtur dhe shfrytëzuar vetëm për propagandë.

“Përmes këtij projekti do të investohej ne infrastrukturë, ekonomi, investime në agroturizëm, rikonstruksion, monumente etj, por këto ide kanë mbetur në letër. Përveç tabelave të rrugëve që kushedi sa para janë paguar për to, në shumicën dërrmuese të fshatrave nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Rrugët janë të amortizuara dhe institucione kulturore nuk ka”, vijoi Çupi.

Deputetja e PD solli foto nga rrugët në fshatrat Pëllumbas në Tiranë, Radë në Manëz dhe nga fshati Shetaj.

“Rrugë nuk ka, nuk ka asnjë investim të ri, por ama specialistët e vjedhjes së parave të shqiptarëve, po bënin një menu për restorantet imagjinare të shumicës dërmuese të këtyre 100 fshatrave”, tha ajo.

Në lidhje me tenderin e menysë, SPAK nisi verifikimet për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, i cili dha tenderin prej 500 mijë dollarësh kuzhinierit që punon me djalin e tij, që në këtë garë ishte me ofertën më të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë