Partia Demokratike thotë se thirrjet e saj për mosbindje civile ndaj urdhërave dhe vendimeve të Qeverisë në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore janë të bazuara në Kushtetutë. Opozita thotë se gjendja e fatkeqësisë natyrore, e për rrjedhim edhe kufizimet që prodhohen bashkë me të kanë përfunduar ditën e diel më 24 maj.
“Që nga e diela e Fiter Bajramit, “gjendja e fatkeqësisë natyrore” dhe masat e jashtëzakonshme të Kryeministrit Edi Rama janë antikushtetuese. Mbajtja e këtyre masave përtej 23 majit nuk ka vlerë kushtetuese, sepse Parlamenti nuk mund ta zgjaste gjendjen e fatkeqësise natyrore me shume se nje muaj pa një vendim të ri”, deklaron ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.
Bylykbashi thotë se kufizimi i lirisë së lëvizjes pas 23 majit është antikushtetuese dhe akuzon Parlamentin se është bërë shtojcë e Qeverisë për të shkelur të drejtat e qytetarëve.
“Qeveria duhej të kërkonte shtyrje të re 30-ditore më 23 maj, të raportonte në Parlament për masat e ndërmarra nga 24 prilli deri më 23 maj, të dëshmonte sa efikase ishin ato dhe pse duhej zgjatur edhe me 30 ditë të tjera gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe kufizimi i lirive. Kjo është arsyeja e afatit kushtetues 30-ditor, llogaridhënia e Qeverisë dhe jo tekat e Ramës në 22:00 të natës në Facebook. Parlamenti ka detyrimin që t’ju mbrojë të drejtat nga qeveria, por harrojeni që ky Parlament si shtupë lecke në duart e Edi Ramës do t’ju mbrojë”, vijoj më tej Bylykbashi.
Ish-deputeti demokrat thotë se kufizimi dhe dhunimi i të drejtave të qytetarëve nuk justifikohet as nga statistikat e Covid-19 dhe u bën thirrje qytetarëve që të refuzojnë këto masa dhe të rimarrin pas të drejtat dhe liritë e tyre.

A e pengon gjë Qeverinë që të marrë miratimin e Kuvendit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor? Bylykbashi mendon se jo dhe për ta ndryshuar këtë propozon që pas 2-3 shtyrjesh të gjendjes së fatkeqësisë të kërkohet shumicë e cilësuar në Parlament.
“Për mua mungon një mekanizëm më specifik garancie që zgjatja periodike 30-ditore të jetë pa fund. Si shembull, pas një apo dy shtyrjesh, të nevojitej një votim i cilësuar. Kjo sepse çdo shtyrje e periudhës shtyn edhe afatin e kufizimit të të drejtave. Megjithatë, kufizimi i periudhës vetëm me 30 ditë detyron qeverinë të justifikojë masat e marra dhe pse duhet zgjatje tjetër. Parlamenti (nëse do të kishim një Parlament normal, mund ta refuzojë kërkesën nëse nuk ka arsye të bazuara. Parlamenti mund të vendosë zgjatjen e periudhës, por të zvogëlojë, ose heqë krejtësisht kufizimin e lirive si ato të lëvizjes, pronës, fitimit të jetesës me punë të ligjshme, apo të grevës, nëse këto kufizime nuk do të ishin në proporcion me gjendjen faktike”, thotë ai.
Përveç Parlamentit, mekanizmi fundor për mbrojtjen e këtyre lirive mbetet Gjykata Kushtetuese. Në Shqipëri kjo gjykatë nuk funksionon ende dhe Bylykbashi ironizon me këtë fakt.
“Detyra është e Parlamentit që ta kontrollojë Qeverinë, ndaj afati është vetëm 30 ditë për çdo zgjatje dhe në instancë të fundit, edhe nëse Parlamenti nuk bën detyrën në mbrojtje të shtetasve duke i mbajtur krahun qeverisë, Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë një vendim për zgjatje të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Por siç e dini, falë sukseseve të jashtëzakonshme të reformës në drejtësi, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese”, thotë Bylykbashi.
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.