Politike

PD e Rithemelimit tjetër padi në SPAK për Erion Veliajn

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këllici u shpreh në një konferencë për mediat se është e papranueshme dhe e patolerueshme të shohësh imazhet e disa qeseve mbeturinash, që mbështjellin kocka njerëzish me dhe pa emër dhe kjo sipas tij ndodh në varrezat e Tufinës.

“Pamjet janë publikuar mbrëmjen e djeshme, nga emisioni investigativ “Piranja”, në varrezat e Tufinës.

Në këto pamje të tmerrshme të cilat mund t’i shohim vetëm në skenarë filmash horror, apo pamje të regjistruara në fushë betejat e luftrave botërore, shihen qartë mbetjet e fëmijëve të cilët kanë humbur jetën disa vite më parë.

Është e papranueshme dhe e patolerueshme të shohësh imazhet e disa qeseve mbeturinash, që mbështjellin kocka njerëzish me dhe pa emër, si të jenë pamjet e tmerrshme të ushtarëve të vrarë në luftë, hedhur kapicë nga kundërshtari në front.

Kjo barbari, ky dhunim monstruoz i dinjitetit njerëzor, e çon Bashkinë Tiranë në një tjetër podium, nga institucioni më i korruptuar në Europë, tashmë në institucionin më barbar të Europës!”, tha ai

Ai paralajmëroi se  Partia Demokratike do të kallëzojë në SPAK këtë javë Erion Veliajn, pasi nga sa përcaktohet në ligj, zhvarrimet bëhen me lejen e Kryetarit të Bashkisë dhe depozitimi bëhet në një ndërtesë specifike.

"SPAK në fakt do duhej të zbarkonte që mbrëmë në zyrat e Bashkisë Tiranë dhe të bënte shembull përgjegjësit e këtij skandali të paimagjinueshëm, i cili ka tronditur çdo qytetar të Tiranës e jo vetëm. Por mesa duket, gjumi letargjik që ka kapur organin e akuzës, dhe frika nga kryebashkiaku i Tiranës, vijon ta mbajë këtë institucion në krahun e keqbërësve dhe të korruptuarve", u shpreh Këlliçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë