Për situatën e krijuar në dy pikat kufitare me Greqinë, që u rëndua së tepërmi edhe me përplasjen për vdekje të një 10-vjeçari nga një ambulancë, ka reaguar sot edhe Partia Demokratike.
“Kjo ngjarje e rëndë është një tjetër alarm tragjik për braktisjen e qytetarëve nga qeveria.
Është e pafalshme që qeveria lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë.
Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi.
Kjo krizë nuk zgjidhet me propagandë në rrjetet sociale.
Nuk zgjidhet me postime virtuale nga rezidencat luksoze qeveritare ku pushon kryeministri, dhe as me xhiro me helikopter dhe rikthim në hotele me 5 yje ku pushojnë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Zgjidhja e krizës humanitare, sipas njoftimit zyrtar të PD-së, kërkon angazhimin në nivelet më të larta të qeverisë dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë.
“Njerëzit meritojnë të trajtohen me dinjitet nga shteti i tyre”, thuhet në deklaratën e PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




