Politike

PD e LSI çojnë komisionerët, dy skenaret për zgjedhjet dhe ‘kërcënimi’ i PS

Partia Demokratike bëri një lëvizje të papritur duke deklaruar se do të paraqiste anëtarët e komisioneve zgjedhore në nivelet e dyta dhe të treta, duke u bërë pjesë e procesit zgjedhor të 30 qershorit. Këtë lëvizje ajo e shpalli dhe në emrin e LSI-së, aleatit kryesor. Të dy subjektet opozitare sipas ligjit zgjedhor kanë të drejtën të paraqesin anëtar në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe në Komisionet e Qendrave të Votimit.


Sekretari i Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi do të bënte të ditur arsyen se pse opozita po e ndërmerr këtë lëvizje në limitet e fundit ligjore. “Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshmëritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit”, do të shprehej Bardhi.

Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së

Ndërsa një lëvizje e tillë vjen pasi opozita ka pasur kontakte me ndërkombëtarët si vizita më e fundit e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në SHBA, apo takimet që kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar pas protestës së të hënës, me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca dhe me ambasadorin britanik, Duncan Norman. Aktualisht Basha po zhvillon një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, ndërsa përfaqësues të tjerë të PD-së mësohet se janë në Gjermani.
Përfaqësues i PD-së në KQZ, Ivi Kaso pohoi për Gazeta SI se po punohet për paraqitjen e listës së anëtarëve të opozitës në KZAZ dhe në KQV. Emrat nuk janë dërguar ende dhe se opozita ka afat për ti paraqitur deri më 30 maj, një muaj larg nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve.

Boshllëkut të lënë në komisione nga opozita Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është kundërpërgjigjur me zëvendësimin me anëtarë jo politik nga shoqëria civile. Në mbi 4 mijë KQV, përbërja është mikse, ku sipas ligjit, komisionerët ndahen në mënyrë të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. Gjysma drejtohet nga e majta dhe gjysma nga e djathta.

Pikërisht këto zhvillime mund të komentohen si një sinjal që mund të çojë mazhorancën dhe opozitën drejt një marrëveshjeje të re politike, duke zgjidhur krizën politike. Socialistët shprehen se ka ende mundësi që opozita të jetë pjesë e zgjedhjeve dhe siç duket brenda hapësirave aktuale, pra që PD, LSI dhe aleatët e saj të jenë pjesë e procesit të 30 qershorit.
“Nuk do të ketë shtyrje për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Të bëhet e pamundura që opozita të marrë pjesë në zgjedhje. Afatet e regjistrimit kanë përfunduar, por duhen gjetur hapësirat që opozita të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Edhe pse afati ka kaluar. Ka mundësi të regjistrohen në zgjedhje edhe pse afati ka kaluar. Do donim qe PD të ishte në zgjedhje”, do të deklaronte sekretari i PS-së për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri.

Por ky shihet si skenar i parë i kësaj lëvizjeje të papritur të PD-së. Skenari i dytë është ai që nëpërmjet pranisë në komisione të bllokojnë procesin e 30 qershorit në KQV apo dhe në KZAZ.
Pikërisht opozita me të drejtë përfaqësimi në gjysmën e komisioneve mund të bllokojë procesin e votimit, që nga KQV apo dhe në numërimin e votave të 30 qershorit.
Ky skenar duket se ka trembur Partinë Bindja Demokratike, e cila reagoi menjëherë pas shpalljes së nismës më të fundit të opozitës, duke e cilësuar si një provokim të rëndë.
Zgjedhjet janë procesi i atyre, që marrin pjesë dhe administrohen sipas ligjit nga partitë e përfaqësuara në Parlament. Partia Demokratike dhe LSI-ja nuk janë më të përfaqësuara, as në parlament dhe, as nuk marrin pjesë në zgjedhje me vullnetin e tyre. Përpjekja për të penguar procesin zgjedhor me komisionerë drejtohet pikë së pari kundër Bindjes Demokratike, e cila duhet të ketë patjetër komisionerët e vet në atë proces. Së dyti, ajo drejtohet kundër procesit zgjedhor në tërësi, tek i cili me sa duket ata duan të fusin brenda Kalin e Trojës”, do të deklaronte kreu i forcës më të re politike, Astrit Patozi.

Astrit Patozi, kreu i “Bindja Demokrtike”


Ai i kërkon KQZ-së që të veprojë shpejt dhe me drejtësi për t’ua lënë zgjedhjet atyre që zgjedhin dhe zgjidhen dhe jo atyre që nuk duan të bëhen zgjedhje fare në Shqipëri.
Lidershipi i PD-së prej kohësh deklaron se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, duke paralajmëruar një bllokim të procesit.
Këtyre qëndrime mazhoranca i ka bërë të qartë se opozita nuk mund të bllokojë procesin zgjedhor, duke i kujtuar se ligji parashikon burgimin e tyre.
Paralajmërimi erdhi nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili gjatë një takimi në prefekturën e Korçës dhe me drejtuesit e Policisë, theksoi se kushdo që sipas tij del nga “binarët e arsyes” do të përballen me ndëshkimin e ashpër të ligjit. “Kushdo që del nga binarët e arsyes dhe thjesht mendon që mund të cenojë të drejtën legjitimë dhe sovrane të qytetarëve shqiptarë për të votuar, të jetë nën kujdesin ligjor të Policisë, në mënyrë që asgjë të mos ngelet i paditur, e paevidentuar dhe e pandëshkuar në ato raste që ndëshkimi do të jetë i merituar. Besoj se do të jetë pak ose aspak, por dhe sikur një rast i vetëm që dikush guxon të sabotojë ngjarjen më të rëndësishme, në momentin më të rëndësishëm të vendimmarrjes së popullit shqiptar që është votimi, do të japë llogari përballë ligjit”, theksoi Lleshaj.

Sandër Lleshaj në takimin e sotëm në Korçë


Paralajmërimi i fortë do të lëshohej edhe nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla gjatë prezantimit të anëtarëve të këshillit bashkiak të PS-së për Elbasanin. “Zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm të shkojë për të ushtruar të drejtën e vet, Kodi Penal është i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të pengojnë një zgjedhës të shkojë të votojë, nëse guxojnë të dëmtojnë një qendër votimi, apo një material votimi. Çdo përpjekje, qofshin me bomba molotov, apo me dhunë kundër institucioneve për të penguar fillimin e bisedimeve, për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë, për të penguar vijimin e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi nuk ka për t’ia dalë dot. Kjo është një gjë e sigurt. Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ne duhet të ecim në rrugën e nisur”, deklaroi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë