Politike

PD depoziton në Kuvend propozime për shtesa në Kodin Zgjedhor: Emigrantët të votojnë edhe me pasaporta apo ID të vendit ku jetojnë! 

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend ndryshime shtesë për Kodin Zgjedhor, i cili pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve për votën e diasporës.

Në draftin e dorëzuar me firmë të 11 deputetëve, përfshirë Sali Berishën, kërkohet që Kodi të përcaktojë që emigrantët të votojnë edhe me një ID apo pasaportë të vendit ku jetojnë, si dhe vetëm për këto zgjedhje afati i përdorimit të ID të skaduara të specifikohet në Kod dhe jo me akt normative.

Projektligji synon sipas shkresës së PD  “të ofrojë lehtësitë maksimale ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ata ndodhen brenda dhe jashtë vendit, me qëllim mundësimin efektiv të të drejtës së tyre kushtetuese për të votuar, në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025.”

Ditën e djeshme, PD dhe PS dhanë dritën jeshile tre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe një rregullimi që do ta bëjë qeveria. Pakti kënaq të dyja palët, duke plotësuar kërkesa e shqetësime të tyre si dhe ndihmon KQZ-në, të përshpejtojë punën me votën e diasporës.

Pjesa e tretë e marrëveshjes, plotëson një kërkesë të opozitës, që është numërimi i votave nga diaspora po nga komisionerë politikë, kur ligji aktual lejonte numërimin e tyre nga KQZ.

KQZ i kërkoi edhe qeverisë të lejohet votimi si brenda dhe jashtë vendit për ata persona që ju kanë skaduar dokumentet, edhe kjo një kërkesë e opozitës.   

Vlefshmëria e kartave të skaduara ID pritet të zgjidhet nga qeveria me akt normativ pasi nuk realizohet me kod zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë