Politike

PD depoziton draftin për votën e diasporës, Bylykbashi: Me PS na ndan rezidenca e emigrantit

Partia Demokratike depozitoi zyrtarisht në Kuvend draftin e saj për reformën zgjedhore, përfshi votën e diasporës. 

Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD-së ka dhënë detajet e para.

Ndryshe nga propozimi i PS-së, Bylykbashi u shpreh se të drejtën e votës do ta kenë të gjithë emigrantët jashtë vendit me apo pa dokumente aty ku jetojnë, por edhe studentët, emigrantët, madje edhe ata që kanë shkuar për arsye kurimi në një shtet tjetër.

Sipas Bylykbashit, palët kanë rënë dakord tashmë që vota e emigrantëve të llogaritet në qarkun ku ata kanë vendbanimin e tyre, ndërsa ndahen te pjesa e rezidencës.

“Dy çështjet janë shumë të ndryshme, jo vetëm sa i përket nevojës së 84 votave. Nëse ne do të kishim një dakordësi, siç ka ndodhur në mënyrë të rregullt, hera parë që parlamenti shqiptar nuk arrin të bëjë reformë zgjedhore dhe kjo është bllokuar nga PS-ja.

Ne kemi ofruar një zgjidhje që nuk është thjesht vota e diasporës, e cila është qasje parciale, por votimin nga jashtë. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtën e votës edhe nga jashtë, sigurisht jo kur shkon turist për 4 apo 5 ditë, por kur është jashtë vendit për arsye emigracioni, pa dallim të ligjshëm apo të paligjshëm sepse kemi me dhjetëra mijëra shqiptarë pa dokumentacion dhe me kushtetutë ka të drejtën për të votuar. Sot, PS ka si kriter rezidencën, por ne themi që adresa është e nevojshme për të çuar materialin zgjedhore, por ne themi se mund të votojnë edhe ushtarakët, studentët apo ata që shkojnë për kurime afatgjata jashtë vendit.

Është arritur një dakordësi që vota e atyre që votojnë nga jashtë do të llogaritet në qarkun ku ata kanë vendbanimin e tyre. Të dyja palët kanë rënë dakord për këtë. Ne ndahemi te pjesa e rezidencës”, u shpreh Bylykbashi ne emisionin ‘Debat’ në A2 CNN

Oerd Bylykbashi tha gjithashtu se PD-ja propozon lista të hapura me standardin e 90% te vendeve të botës. Ai theksoi se kjo është propozuar edhe nga partitë e vogla.

“Ajo që ne po përpiqemi të zgjidhim është se kush është mekanizmi për votën preferenciale të zgjedhësve. Ne kemi kërkuar që të jetë një zgjidhje me lista të hapura me standardin e 90 përqind të vendeve të botës. Vetëm 3 vende në botë që kanë listë të hapur 100%, Brazili, Finlanda dhe Letonia, të gjitha të tjerat kanë një prag në një formë të caktuar. Edhe Kosova ka një prag, i pari i listës është i blinduar, merr të gjitha votat e subjektit që s’ka emër.

Ka një dispozitë kushtetuese që imponon raporte, të paktën, garancish për listën se sa pjesë e saj duhet të jetë e hapur dhe PS nuk e respekton këtë. Ka propozim të këtillë të bërë nga partitë e vogla. Ajo që ka bërë PS është thjesht ulje e pragut dhe kjo nuk është e lehtë për të nxjerrë kandidat. A ka një prag në mesataren e vendeve europiane? Absolutisht që ka, dikush më shumë e dikush më pak”, tha Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë