Partia Demokratike akuzon kryetari e bashkisë së Tiranës se po lejon ndërtimin për shtesat e pallateve për deputetë dhe ish-deputetë të PS-së.
Nga selia blu, ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri deklaroi se duke ndjekur filozofinë e kreut të organizatës kriminale të Rilindjes, shefit të tij politik, Edi Rama, Veliaj jo vetëm që nuk e ndaloi dhënien e lejeve, por në 4 vite të drejtimit të tij, e vetmja gjë që lulëzoi ishin betoni dhe kullat.
“Por Erjon Veliaj dhe Edi Rama nuk po ndalen me kaq! Prej disa ditësh në Tiranë ka lulëzuar një formë e re betonizimi me para të pista droge dhe korrupsioni. Qytetarët e alarmuar kanë denoncuar dhjetëra raste ndërtimesh luksi, ku përfitues rezulton të jenë njerëz të pushtetit ose oligarkë të lidhur dhe përfitues me pushtetin e Rilindjes. Kjo është pamja në një nga ndërtesat më të larta të Tiranës, Sky Tower, pronë e ish-deputetit socialist Vladimir Kosta. Mbi këtë ndërtesë në zemër të kryeqytetit po hedh shtat një ose më shumë kate”, deklaroi Pampuri.

Gjithashtu PD, me anë të fotoja publikoi edhe një ndërtim tjetër të deputetit të PS-së, Robert Bitri. “Në këtë foto është një tjetër objekt banimi në kryeqytet ku po hedh shtat një tjetër pallat mbi pallat. Qytetarët e alarmuar kanë denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Robert Bitri që po ndërton një kat shtesë në këtë objekt banimi që jo vetëm shton betonin në Tiranë, por rrezikon jetën e qindra banorëve që jetojnë në këtë objekt. Veliaj edhe në këtë rast hesht dhe ndërsa dërgon në qeli baballarë që rregullojnë çatitë e banesave të fëmijëve të tyre, mbyll sytë ose më keq i jep leje oligarkut të radhës, që të ndërtojë një kat luksi për veten e tij. Bashkia e Erjon Veliajt dhe qeveria e Edi Ramës janë vënë në shërbim të oligarkëve dhe parave të pista duke betonizuar Tiranën”, theksoi Pampuri.

Ish-deputetja demokrate theksoi se në 4 vjet Erjon Veliaj dhe Edi Rama i mashtruan shqiptarët dhe në vend të lulishteve, parqeve, apo edhe pronave legjitime të kryeqytetasve, ngritën kulla betoni me financime miliarda euroshe, duke krijuar një situatë katastrof ike ndërtimesh në Tiranë.
“Të dhënat e INSTAT tregojnë se për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Po sipas raportit zyrtar të INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej për kryeqytetin 94 leje ndërtimi, me një rritje prej 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Trendi rritës vijoi edhe në tremujorin e dytë, ku u thye rekordi i lejeve të ndërtimit për bashkinë e kryeqytetit me 111 leje të reja”, theksoi Pampuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




