Drejtësia

PD denoncoi policinë për dhunë ndaj protestuesve, SPAK i kërkon Prokurorisë së Tiranës të nisë hetimet

Gazeta Si – SPAK ka shpallur moskopetencën për shqyrtimin e kallëzimti të Partisë Demokratike për dhunën e policëve ndaj protestuesve më 23 dhjetor 2024.

Në dokument, thuhet se SPAK ia kalon Prokurorisë së Tiranës kallëzimin për kompetencë dhe i kërkon këtij organi të akuzës që të hetojë policinë për sjelljen e saj në protestën e fundit të opozitës vitin e kaluar.

“…nga të dhënat e ofruara deri më tani konstatohet se orientohen në drejtim të të veprave penale të parashikuara nga nenet 90, 248, 250, 251,253, 261 të Kodit Penal.

Nëse pas verifikimeve apo hetimeve të kryera nga ana Juaj, do të rezultojnë elementë të figurave tẽ veprave penale të parashikuara nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, apo ku autorë të mundshëm të veprës penale, do të jenë subjekte për hetimin e të cilëve kompetente është Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit tế Organizuar, të na ridërgohen aktet e procedimit penal në fjalë. Përsa më sipër ju përcillet për kompetencë materiali kallëzues i mësipërm, pasur parasysh kompetencën lëndore dhe territoriale, në respektim të nenit 75/a, 76 dhe 28 të K.Pr.Penale”, – thuhet ë shkresën e kreut të SPAK, Altin Dumani.

Në 24 dhjetor, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes kryetarit Gazment Bardhi, kallëzoi në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda; Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tiranë, Elton Alushi dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit pas tubimit të zhvilluar ditën e hënë.

Ata e akuzuan ministrin Hoxha dhe zinxhirin drejtues të policisë për protestën për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim.

Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që sipas PD-së dëshmojnë se tubimi i njoftuar ishte i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal.

“Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit”, njoftoi zyra për shtyp e PD.

Në lidhje me protestën e PD, u arrestuan 7 persona, ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë 40 deputetë të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë