Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po mbron kryebashkiakun Agim Kajmaku të Vorës, duke mos e shkarkuar atë. Ish-deputetja Dhurata Çupi ka selia e PD-së i nxori një video ku kryeministri Edi Rama në një emision televiziv mbronte Kajmakun duke e cilësuar si personin që nuk ka marrë asnjë gjobë në jetën e vet dhe se nuk verifikohet asgjë dhe media e sulmon pa bazuar asnjë gjë konkrete.
“Sot bëhen 3 ditë që Edi Rama është zyrtarisht në mbrojtje të Agim Kajmakut, i cili fshehu me qëllim arrestimin e tij në Greqi disa vjet më parë me emrin Jorgo Toto. Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar Agim Kajmakun që në momentin, kur prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur krimin për të cilin ishte arrestuar dhe ishte në kërkim në Greqi dhe në kërkim europian deri pak kohë më parë. Duke mbajtur në detyrë një funksionar të lartë publik që shkel ligjin, që kryen vepra të rënda penale dhe mashtron qytetarët, Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes”, theksoi Çupi.
Më tej, demokratja theksoi se fshehja “ pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një qeendrim prej burracaku i Edi Ramës. Ai e di shumë mirë se, siç thotë Zëri I Amerikës, për Agim Kajmakun nuk ka shpëtim”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë vendim nesër për çështjen Kajmaku, pas depozitimit të raportit të Prokurorisë për rastin Kajmaku. Prokuroria ka arritur në konkluzionin se kryebashkiaku i Vorës ka fshehu faktin se ishte në kërkim dhe se ishte i dënuar në shtetin fqinj, Greqinë, duke mos e deklaruar në formularin e Dekriminalizimit. Nga ana e saj opozita kërkon që për Kajmakun të zbatohet e njëjta procedurë si për deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.
Ndërsa për fshehje të deklarimit, Kajmaku sipas ligjit mund të rrezikojë 4 vite burg. Vetë kryebashkiaku i Vorës ka dërguar një letër Prokurorisë e KQZ ku thekson se nuk ka qenë në dijeni të faktin se ndaj tij kishte një dënim nga gjykata greke dhe se ka paraqitur dhe vendimin e shtatorit 2019 ku i hiqet dënimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.