Politike

Votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhje, PS -PD bien dakord vetëm për Korçën

Partia Demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që projekti pilot i votimit elektronik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të bëhet në Fier dhe Korçë.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i dorëzoi  kërkesën kryekomisionerit, Ilirjan Celibashi.

“Në përgjigje të shkresës suaj nr. 2646., datë 28.12.2020 mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e 25 prillit 2021 për Kuvendin e Shqipërisë, ju bëjmë me dije se opinioni i PD është që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të realizohet në qarqet Fier dhe Korçë”, thuhet në kërkesën e PD.

Në fund të dhjetorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i nisi një kërkesë partive politike në vend në lidhje me zbatimin e teknologjisë (votim dhe numërim elektronik) në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Institucioni i KQZ i njoftoi partitë që të japin sugjerimet e tyre në lidhje me zonat ku dëshirojnë që të aplikohen projektet pilote në zgjedhje, para se KQZ të marrë vendimet përkatëse.

Ndërkohë, PS-ja propozon Tiranën dhe Korçën. Sipas shkresës që mazhoranca i ka dërguar KQZ thuhet se PS është dakord me kërkesën e demokratëve për aplikimin e këtij projekti në Korçë, por jo në Fier ndërsa kërkojnë shtrirjen e tij vetëm në një pjesë të Tiranës.

Mazhoranca kërkon që ky projekt të pilotohet në disa njësi administrative të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë