Gazeta Si – Partia Demokratike çeli sot fushatën elektorale në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Në fjalën e tij, kryetari në detyrë i demokratëve, Enkelejd Alibeaj, akuzoi Sali Berishën se refuzoi ofertën e bërë për daljen e kandidatëve të primareve me siglën e PD-së, por i çoi ato te socialisti Ilir Meta.
“Ai refuzoi çdo bashkëpunim me Partinë Demokratike në këto zgjedhje, duke i çuar demokratët te socialisti Ilir Meta, duke pasur vetëm një qëllim: të dëmtojë sa më shumë shanset e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.

Bashkë me veglat e qeverisë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lloj-lloj pengesash dhe stërkëmbshash u nxorën demokratëve për të konkurruar në zgjedhje. Ja pra, ky është Sali Berisha, që përçau Partinë Demokratike dhe e përçau në momentin kur ai nuk e kishte një instrument kundër perëndimit, me qëllimin për t’ju kundërvënë politikës amerikane në Shqipëri.
Partia Demokratike ka lindur si partia e parë pro-perëndimore në Shqipëri dhe e ka për detyrë të jetë aleate e pakorruptuar e perëndimit në Shqipëri”, – tha Alibeaj në fjalën e tij.
Ndërsa e akuzoi Berishën se mashtroi demokratët dhe ngriti strukturat paralele të demokratëve. “Në këto 18 muaj është koha të bëjmë një bilanc. Pas 9 shtatorit, në vend që të tërhiqej në jetën e tij dhe të trajtonte personalisht problemin me SHBA, në rrugë ligjore, Sali Berisha iu fut një fushatë për t’i vënë kazmën Partisë Demokratike.
Ai ndërtoi një proces anti-statutor dhe të paligjshëm, duke ndërtuar organe dhe struktura paralele në PD dhe duke mbledhur në 11 dhjetor një kongres të paligjshëm, të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe e quajti nul. Por nuk u mjaftua me kaq. Ai erdhi në 8 janar dhe sulmoi fizikisht selinë e Partisë Demokratike, duke dhënë shembullin e një barbarie të pashoqe për jetën publike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Më 6 mars të vitit të kaluar, në një koordinim perfekt me trekëndëshin, në zgjedhje krejt të sajuara, mori demokratë dhe i çoi nëpër sigla të tjera socialiste, duke goditur shanset e demokratëve për të fituar këto zgjedhje”, – tha Alibeaj.
Më tej ai theksoi se Basha dha dorëheqjen me pretendimin që një gjë të tillë ta bënte dhe Berisha, por ish-kryeministri nuk e dha dhe vazhdoi me veprimet e njënashme.
“Ai bëri kongres të njëanshëm në 30 prill, bëri zgjedhje të njëanshme, duke u zgjedhur apo vetëzgjedhur kryetar i PD-së dhe duke përmbysur çdo rregull apo logjikë politike. Ai, vazhdoi duke mashtruar demokratët se është njeriu që do t’i çonte në fitore, dhe kush?! Ai që humbi në vitin 2013! Jo vetëm kaq. Ai që në fund të korrikut të këtij viti prej qeverisë konservatore britanike u shpall non-grata”, – shtoi Alibeaj.
Ai theksoi se qëndrimi për Berishën nuk ndryshon dhe se për PD-në këto zgjedhje të 14 majit janë politike. “Ai pra, është në luftë për imunitetin e tij politik. Ai kërkon vetëm imunitet dhe përballë kësaj nevoje është gati të shkatërrojë PD-në dhe opozitën, është gati ta çojë votën tek LSI-ja dhe më pas kjo ta çojë tek PS-ja.
Ne jemi të qartë dhe të bindur për karakterin anti-perëndimor, anti-atlantist të lëvizjeve të tij. Por po ashtu kemi një qëndrim të palëkundur ndaj faktorit kryesor të së keqes në këtë vend, qeverisë së Edi Ramës”, – tha Alibeaj.
Pastaj theksoi se bashkimi i opozitës do të ndodhë vetëm me largimin e Berishës. “Non-grata është shkaku i përçarjes së PD-së dhe bashkimi i opozitës do të vij kur të eliminohet ky shkak. Partia Demokratike është e vetmja parti që nuk ka brenda saj, as si mbështetje të saj persona non-grata apo të sanksionuar për korupsion madhor.
Ata janë pjesë e qeverisë dhe opozitës së korruptuar. PD është ishulli i vetëm i pakorruptuar i politikës shqiptare. 14 maji është një ditë shumë e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe të ardhmen e saj”, – theksoi Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



