Politike

Socialistët votojnë ish ministrin demokrat në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës

Dikur ishte njeriu më i rëndësishëm dhe më i pushtetshëm jo vetëm i financave të vendit, por edhe i organizimit në parti, por tani Partia Demokratike e cilëson si njeriun e Edi Ramës. Askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend, por sot demokratët po kontestojnë ish-ministrin e Financave, Ridvan Boden, i propozuar nga kryeministri Edi Rama si anëtar i Këshillit të Bankës së Shqipërisë.
Parlamenti e kishte votuar emrin e ish-ministrit të Financave në seancën e së enjtes, por opozita e ngriti si shqetësim këtë procedurë votimi sot, duke deklaruar se Kuvendi kishte shkelur praktikat e mëparshme, Kushtetutën dhe ligjin, sa i përket procedurës që është ndjekur në lidhje me anëtarët që propozohen nga Kuvendi në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës.


“Kryeministri po kap edhe Bankën e Shqipërisë, kryeministri propozon dhe voton edhe në emër të opozitës. Ka pasur një traditë në Kuvendin e Shqipërisë që institucionet kryesore kushtetuese, bordet e mbikëqyrjes janë shpërndarë proporcionalisht mes dy krahëve, në mënyrë autoritariste pa respektuar, jo traditat, por as rregullat dhe do të votoni edhe në emër të opozitës, prandaj e kundërshtojmë edhe votimin që do të bëni sot edhe atë që bëtë mbrëmë”, deklaroi Edmond Spaho, kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Edhe deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi e cilësoi si një shkelje kushtetuese një gjë e të tillë, duke akuzuar mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se po synon që të kapë edhe institucionin më të rëndësishëm që merret vendimet për politikat monetare, siç është Banka e Shqipërisë.
“Është antikushtetuese, kthejuni praktikës së mirë, dhe garantoni që ky institucionet të mos bierë nën thundrën e Edi Ramës”, theksoi deputeti demokrat.
Por kryetari i grupit të PS-së, Taulant Bala i ka cilësuar si të çuditshme pretendimet e demokratëve, duke theksuar se në Këshillin e Bankës do të ketë dhe dy përfaqësues të opozitës.
“Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur jo një po dy kandidatura nga opozita, nuk mund të vijë dita që Oerd bylykbashi t’u bëjë gjyqin në seancë Ridvan Bodes dhe të thotë se nuk është i yni. Po ashtu edhe Suela Popa Tavo, e cila në asnjë moment nuk mund të konsiderohet si një përfaqësuese e PS-së. Nëse do të kishte një diçka serioze për këtë dje ishte votimi, s’kishit pse të flinit gjumë. Një opozitë që ngriti një mal dhe përfundoi me dy vezë, dhe përfunduat me 22 vota në Parlament vetëm ju jeni’, deklaroi Balla. Por deklarata më e bujshme erdhi nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Spaho, i cili bëri të qartë se në këtë Këshill, Bode nuk përfaqëson opozitën. “Ridvan Bode nuk është përfaqësues i PD-së, por i Edi Ramës. Dje e ngritëm në seancë, se pse e nuk pranojmë. Ne e kundërshtojmë praktikën tuaj. Nuk kalojmë tre kandidatura të Kuvendit me 28 firma, kalojnë çdo kandidat me 28 firma deputetësh”, theksoi Spaho.
Por, Kuvendi i ka miratuar në seancën e së enjtes kandidaturat për në Këshillin e Bankës së Shqipërisë, duke lënë për sot pezull vetëm propozimin e paraqitur për Arben Malajn. Kështu Ridvan Bode, ish-ministri i Financave, mori 60 vota pro, 9 kundër. Ndërsa anëtarët e tjerë morën këto vota Suela Popa, Tavo 59 pro, 11 kundër, 6 abstenim; Edlira Luçi 73 pro, 2 abstenim Artan Hoxha – 71 pro, 1 kundër, 1 abstenim; Luljeta Minxhozi – 73 pro, 2 abstenim.

PS pretendon se ka zgjedhur përfaqësues të opozitës në Këshillin e Bankës, duke theksuar se ka propozuar ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode dhe Suela Popa, bashkëshorten e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo.

Por qeveria në relacionin e shoqëruar për tre kandidatët e bankës së Shqipërisë shprehet se “në përzgjedhjen e tyre është bërë kujdes i veçantë që Banka e Shqipërisë të mbahet larg nga militantët e partive politike dhe aty të emërohen njerëzit më të aftë, njohës të fushës e të sektorit bankar”. Kjo gjë bie në nonsens me zbatimin e pikës ligjore, që njerëz nuk duhet të kenë pasur lidhje politike.

Gjithsesi zgjedhja e anëtarëve të rinj të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë po realizohet me një procedurë të re nga ana e Parlamentit, e paprecedentë. Pasi në praktikat e mëparshme parlamentare anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë zgjidhur me konsensus mes partive politike. Si praktikë 28 firma deputetësh janë propozuar për çdo kandidat që përzgjidhen nga Kuvendi, por kësaj here në mungesë të konsensusit dhe për shkak të refuzimit të PD-së, mazhoranca ka vendosur që të mbyllë procesin e vetme. Kështu ndryshe me tre kandidatët janë propozuar në bllok nga 28 deputetë të mazhorancës, pra jo secili nga 3 kandidatët me firma të veçanta të përfaqësuesve të popullit.

Votat në Parlament
Suela Popa – 59 pro, 11 kundër, 6 abstenim
Edlira Luçi – 73 pro, 2 abstenim
Ridvan Bode – 60 pro, 9 kundër
Artan Hoxha – 71 pro, 1 kundër, 1 abstenim
Luljeta Minxhozi – 73 pro, 2 abstenim
Arben Malaj – shtyhet votimi për të premten


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë