Nga Gazeta ‘Si’- Pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura që u zhvillua me debate brenda Partisë Demokratike, duket se opozita ka bërë një “rrotullim 180-gradësh” për sa i përket bojkotit të Reformës Territoriale.
Ajo që filloi si një qëndrim i vendosur i Sali Berishës për t’i thënë “jo” komisioneve, përfundoi me shumë deputetë që shfaqën kundërshti ndaj qëndrimit të tij.
Fill pas mbledhjes, nënkryetari i PD, Luçiano Boçi deklaroi për mediat se Partia Demokratike nuk do të bojkotojë Komisionet për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore.
Ai u shpreh se PD-ja do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe tha se do vijohet me agjendën e komisionit, e cila ka mbetur në momentin e zgjedhjes së sekretarit të komisionit.
Më tej ai theksoi se PD nuk do bashkëpunojë me Edi Ramën në nivele të tilla që konsiderohen bashkëpunime politike.
“Mbledhja e Komisionit tëRreformës Territoriale konsiderohet nul sepse nuk ka kourum se nuk ishim ne të pranishëm e prandaj Komisioni nuk ka vendime. Ne dëgjojmë edhe problemet e qytetarëve. Nëse PS do sillet në mënyrë arbitrare, ne nuk marrim pjesë në Komision që ndërtohet ditën nga ata e prishet natën. Do ketë reagim dhe ky reagim do jetë i fortë. Të dy Komisionet janë të ndërlidhura, pra janë komisione të posaçme, pasi nuk ka marrëveshje me Ramën”, deklaroi Boçi.
Mësohet se deputetët demokratë që dolën kundër Berishës në mbledhje janë Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Arjan Ndoja, Bujar Leskaj, Enno Bozdo dhe Tritan Shehu.
Ina Zhupa theksoi se opozita “nuk duhet ta lërë hapësirën bosh”, ndërsa Bledjon Nallbati dhe Xhelal Mziu kërkuan që PD të jetë pjesë e komisioneve për të mbrojtur interesin publik dhe për të kundërshtuar mazhorancën nga brenda.
Oerd Bylykbashi u shpreh se pjesëmarrja është e domosdoshme për të dhënë kontribut real në reforma, ndërsa Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja kundërshtuan bojkotin duke e cilësuar si një taktikë që dobëson opozitën.
Edhe Bujar Leskaj paralajmëroi se mungesa e PD-së në komisione do t’i jepte mazhorancës dorë të lirë për të deformuar procesin.
Pas kësaj, Berisha u ‘spraps’ dhe u tha deputetëve demokratë se është Kryesia e PD-së ajo që do të vendosë për pjesëmarrje ose jo.
Kujtojmë se këtë të hënë u mblodh Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ku opozita edhe njëherë tjetër mungoi.
Për shkak të mungesës së anëtarëve të këtij komisioni nga opozita për të disatën herë, Mazniku tha se mazhoranca do të kalojë nesër në Kuvend kërkesën për të ndryshuar përbërjen e këtij komisioni, ku Partia Socialiste do të kalojë me një anëtar më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



