Politike

PD bën bilancin e hetimit të incineratorëve: Zbërthyem përgjegjësitë ligjore të gjithsecilit, Rama i përfshirë

Dëshmia e Kryeministrit Edi Rama para Komisionit Hetimor për incineratorët ishte e fundit dhe për Partinë Demokratike vula që ai ishte ne dijeni të asaj që e quan ‘vjedhje të 430 mln eurove të shqiptarëve me këtë aferë’.

“Nuk ka shqiptarë që të mos e besojë që janë dhënë tre koncesionet personave në kërkim, 430 mln euro, me mbështetjen, njohurinë dhe dijeninë e plote te Edi Ramës, edhe me krenarinë e tij për te mbrojtur këtë afere korruptive. Por, ajo që është më e rëndësishme për shqiptarët është të kuptojnë që jemi të vendosur për të çuar përpara këtë dosje përpara organeve të drejtësisë”, deklaroi kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku.

Tabaku akuzoi Ramën se gjatë të gjithë dëshmisë së tij para komisionit aktroi, por nuk ja doli dot mbanë, sipas saj, që të mbulojë të vërtetën.

“Ajo që dëgjuam për 10 orët e fundit ishte sigurisht dëshmitari që e mbronte korrupsionin, e justifikonte korrupsionin, hiqte përgjegjësin e tij nga korrupsioni, ia linte të tjerëve korrupsionin, por ajo që nuk arritën shqiptarët të dëgjonin ishte se si ka mundësi që tre persona në kërkim janë sot duke marrë edhe sot e kësaj dite para nga buxheti i shtetit”, u shpreh Tabaku.

Sa për bilancin e punës së këtij komisioni, Tabaku mendon se ai është pozitiv.

“Komisioni hetimor i ka bëre një nder të madh publikut duke bëre transparente faktet duke vendosur përpara gjithë qytetarëve me zë dhe me figurë, me zërin e administratorëve të kompanisë, por edhe përfaqësues zyrtarë, ministrave dhe kujtdo tjetër atë që ka ndodhur me aferën e tre incineratorëve”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit deklaroi se dosjen e plotë të Komisionit Hetimor do ta dorëzojë në SPAK, duke mos e paragjykuar punën e prokurorisë.

“Ne do të bëjmë punën tonë aq sa ne kemi mundësi për të çuar SPAK-ut dosjen e plotë të kësaj afere. Por iu siguroj që dosja do të jetë me përgjegjësitë e secilit. Me përgjegjësitë ligjore të secilit. Aty ku është shkelur ligji nga secili”, tha ajo.

Sipas Tabakut, dëshmia e Kryeministrit nxorri në pah faktin që firmën e tij për tre incineratorët e ka hedhur me vetëdije.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë