Politike

PD: Asnjë ditë burg, Tahirin e mbron Rama

Partia Demokratike është e bindur se Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg, pavarësisht se prokuroria thotë se do ta apelojë vendimin, duke këmbëngulur tek fajësia e ish-ministrit të Brendshëm për akuzën e grupit të strukturuar kriminal dhe trafikut të drogës në kuadër të këtij grupi.

Bindjen e saj, opozita e mbështet tek Kryeministri Edi Rama.

“Njeriu që zbatoi planin e Edi Ramës për të kanabizuar Shqipërinë në funksion të blerjes së pushtetit me paratë e drogës, nuk ndëshkohet nga drejtësia, sepse me Edi Ramën në krye të qeverisë, drejtësia ka dy standarde: Saimir Tahiri në liri, duke shijuar pushtetin, paratë dhe luksin, ndërsa shqiptarët e zakonshëm në burg, ku humbin jetën për asgjë”, deklaroi Enkelejd Alibeaj nga selia blu.

Alibeaj ilustroi qëndrimin me dy standarde të gjykatave me rastin tragjik të një të riu nga Lushnja.

“Estref Halili, një 22 vjeçar nga Kolonja e Lushnjës u burgos për një cigare hashash ditën e Krishtlindjes dhe vrau veten në qelinë e burgut, ndërsa Saimir Tahiri nuk ka për të bërë as edhe një ditë burg, sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës. Ky është shteti me dy standarde që ka ndërtuar Edi Rama. Liri për bashkëpunëtorët e tij në krim, burg për shqiptarët e zakonshëm dhe të pambrojtur”, vijoi Alibeaj.

Si zgjidhje, opozita thohtë se ka vetëm një rrugë dhe ajo fillon nga ndarja e politikës nga krimi.

“Aty është burimi i të gjitha të këqijave. Pa prerë lidhjet e politikës me krimin, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi të vërtetë, më të pamundurit do të vuajnë burgjeve, ndërsa të pushtetshmit si Edi Rama dhe Saimir Tahiri, do të vazhdojnë të jetojnë në luks pa u ndëshkuar!”, mbylli deklaratën e tij ish-deputeti demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë